Kontesti me Bullgarinë, Komisioni mblidhet sërish vitin e ardhshëm

Redaksia
By Redaksia 5 Dhjetor, 2020 19:23

Kontesti me Bullgarinë, Komisioni mblidhet sërish vitin e ardhshëm

Pas takimit të dështuar dyditor të Komisionit të përbashkët të historianëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kreu i palës maqedonase, Dragi Gjorgjiev thotë për Alsat se megjithatë puna e komisionit do të vazhdojë për të njëjtat tema, vitin e ardhshëm. Por historianët që nuk janë pjesë e komisionit, janë skeptik për punën e këtij trupi, duke vlerësuar se është pre e presionit të madh politik. Kreu i Shoqatës së arsimtarëve të historisë, Mlladenovski thotë se komisioni tashmë ka dalë nga korniza e kompetencave, duke aluduar në këmbënguljen e historianëve bullgarë që të shmanget përdorimi i termit “maqedonase” kur bëhej fjalë për gjuhën apo kulturën.

Në atë komision kemi përfaqësues edhe nga Bullgaria edhe nga Maqedonia, por duket sikur ulen në takime të ndryshme, me përfundime të ndryshme rreth asaj se çfarë është biseduar dhe çfarë është konstatuar. Përfaqësuesit bullgarë thonë ndryshe, ndryshe përfaqësuesi maqedonas. Opinioni i gjerë nuk e di saktë se çfarë ka ndodhur, sepse takimi nuk ishte publik. Por duket se vështirë mund të merren vesh. Sepse të mos harrojmë, duhej të bisedonin, negocionin dhe analizohej interpretimi i ngjarjeve historike mbi bazë shkencore, por duket se tani në plan të parë është presioni politik – tha Mire Mlladenovski, Shoqata e arsimtarëve të historisë.

Mlladenovski kritikon edhe mënyrën sipas tij, “të pahijshme” se si bashkë-kryesuesit e komisionit, Dragi Gjorgjiev dhe Angell Dimitrov u paraqitën në konferencën e djeshme për media, plot akuza e fyerje ndaj njëri-tjetrit.

Ky komision ka efekt kundër-produktiv lidhur me atë që ishte planifikuar. Nëse duhej t’i përmirësonte marrëdhëniet mes dy vendeve, tani i përkeqësuan marrëdhëniet mes dy popujve. Dolën nga korniza e detyrës, që bashkë t’i interpretojnë disa ngjarje kontroverse dhe të ndjeshme nga e kaluara, megjithatë tani shohim se kanë hyrë në interpretim të identitetit – deklaroi Mire Mlladenovski, Shoqata e arsimtarëve të historisë.

Komisioni i historianëve gjatë dy ditëve të kaluara u takua online por nuk pati asnjë progres. Për Goce Dellçevin bisedoi vetëm gjysmë ore, ndërsa lindën dallime të mëdha për Car Samoilin, për të cilin paraprakishisht ishin dakorduar që ta shënonin bashkërisht. Debati përmbajtjesorë për temat historike, ishte pamundësuar nga përplasjet e palëve për procesverbalet e dy takimeve të mëparshme, për shkak të termit “maqedonase”./Alsat

Redaksia
By Redaksia 5 Dhjetor, 2020 19:23