Kontesti mes Shkupit-Sofjes, BE nuk tregon si do të ndihmojë

Desk
By Desk May 9, 2020 17:51

Kontesti mes Shkupit-Sofjes, BE nuk tregon si do të ndihmojë

Komisioni Evropian nuk shpalos nëse dhe si do ta përfshijë zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero tha për Alsat se korniza negociuese është në fazë hartimi, por marrëdhëniet e mira fqinjësore gjithsesi janë kusht i pakontestueshëm për vendin nëse dëshiron të bëhet anëtar i BE-së.

Ne aktualisht po punojmë në kornizën negociuese. Puna vazhdon dhe do ta prezantojmë në kohën e duhur. Kushtet për t’u bërë shtet anëtar i BE-së janë sqaruar qartë në Kriteret e Kopenhagës. Për Ballkanin Perëndimor, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente bazë të procesit të zgjerimit, ashtu si dhe për Procesin e Stabilizim Asociimit. Marrëveshja e Prespës, bashkë me Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë, kanë vënë një shembull pozitiv në rajon dhe më gjerë.  Është e rëndësishme që këto marrëveshje dypalëshe të vazhdojnë të zbatohen me mirëbesim – deklaroi Ana Pisonero, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani nuk pret që çështja me Bullgarinë të vendoset si kusht i veçantë në kornizën negociuese, por të përfshihet në pjesën hyrëse të dokumentit, si nevojë për përmirësimin e raporteve ndër-fqinjësore. Ai thotë se dallimet mes dy vendeve do të zgjidheshin vetëm me negociata të nivelit të lartë.

Mendoj se kjo çështje do të rihapet menjëherë pas zgjedhjeve, me qeverinë e re. Mirëpo nuk është kjo çështje që do të mund të mbyllet në nivel të komisioneve teknike të ekspertëve, por do të duhet ndërmjet dy qeverive -deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

“Ministria e Jashtme nuk ka plan të ri për tejkalimin e tensioneve me Bullgarinë. Mbetet me shpresë se situata do të normalizohet falë marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar tre vjet më parë, e cila kur u nënshkrua nuk zgjidhi asnjë kontest, pos që krijoi kushte për formimin e një komisioni i cili do t’i zgjidh kontestet më tej.”

Kryeministrat e atëhershëm të dy vendeve u lavdëruan se kishin arritur marrëveshje historike.

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje tregon se aty ku ka vullnet politik dhe ide për progres problemet zgjidhen. Maqedonia dhe Bullgaria kanë bërë hap historik. Kjo Marrëveshje stabilizon politikat në Maqedoni e Bullgari por edhe në rajon. Nga sot bullgaria është mik edhe më i mirë dhe partner drejt rrugës së euro-integrimeve -tha Zoran Zaev, ish kryeministër.

Mundeshim edhe të mos e nënshkruajmë Marrëveshjen pasi me vite nuk e kemi nënshkruar. Për këtë duhet ta falënderoj kryeministrin Zaev dhe ekipin e tij për punën e madhe që e kanë bërë gjithë këto muaj – deklaroi Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Por Komisioni maqedono-bullgar i historianëve që u formua pas marrëveshjes ka ngecur në çështjen e Goce Dellçevit. Ndërsa së fundmi pala bullgare ka kërcënuar se Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë anëtarësimin në BE duke e falsifikuar historinë. Përplasjet mes dy vendeve u ashpërsuan edhe pas deklaratës së shefes së diplomacisë bullgare Zaharieva se gjuha maqedonase është krijuar mbi një dialekt bullgar.

 

Desk
By Desk May 9, 2020 17:51