Korea e Veriut përgatit tjetër test bërthamor

Korea e Veriut përgatit tjetër test bërthamor

Korea e Jugut ka diktuar shenja se fqinji i saj verior po përgatitet për një test të pestë bërthamor. Kështu deklaroi presidentja koreano-jugore Park Geun-Hye gjatë mbledhjes së qeverisë, pa specifikuar se për çfarë shenjash bëhet fjalë, por gjithsesi duke urdhëruar ushtrinë që të jetë gati.

Deklarata zyrtare e Koresë së Jugut vjen pas raporteve të shumta në media se është vënë re rritje e ndjeshme e aktivitetit në zonën e testeve bërthamore Pung-ri në Korenë e Veriut. Në të shkuarën, sa herë që aktiviteti në këtë zonë shtohej, pasohej nga një test bërthamor.

Një test i ri nga ana e Koresë komuniste do të ishte një tjetër sfidë ndaj sanksioneve të ashpra të vendosura nga OKB-ja muajin e shkuar. Në janar, Korea e Veriut kreu testin e katërt bërthamor dhe lëshoi një raketë një muaj më vonë, duke rritur ndjeshëm tensionin në gadishull. Analistët thonë se nuk është aspak çudi që Korea komuniste të kryejë një tjetër test bërthamor para se të zhvillojë kongresin e Partisë së Punëtorëve në Pjongjang, në muajin maj.

Ekspertët besojnë se Korea e Veriut nuk zotëron teknologjinë për të vendosur një mbushje bërthamore mbi një raketë balistike ndërkontinentale, megjithëse gjatë viteve të fundit ka shënuar progres në programin e armëve bërthamore.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 18, 2016 12:48

REKLAMA

PARTNER