Korona sjell edhe liderë të rinj, por të vjetrit nuk dorëzohen

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 11, 2020 21:39

Korona sjell edhe liderë të rinj, por të vjetrit nuk dorëzohen

Fokusi i shumicës së njerëzve në periudhë të pandemisë është tërësisht te institucionet, jo te partitë, thonë analistët politikë, megjithëse është shumë herët të parashikohet nëse koronavirusi do të ndryshojë politikën, madje edhe liderët.

Tani për tani, është e sigurt që koronavirusi e ka ndryshuar jetën e njerëzve, ata qëndrojnë në shtëpi, ndërsa përqafimi dhe puthja, dikur simbol i ngrohtësisë, tani janë rreptësisht të ndaluara. Kjo është fotografia në komunikimin e përditshëm të qytetarëve, e cila tani është e sigurt, por pandemia botërore hapi mundësi për ndryshime në skenën politike të Maqedonisë dhe perceptimin e disa qytetarëve ndaj politikës.

Koronavirusi – për njerëzit, asgjë nuk është më e njëjtë

Partitë dhe liderët, zakonisht janë kryesorët në media me mesazhet të cilat ua impononin publikut, tani ata janë në plan të dytë, për dallim nga lajmet për koronavirusin, transmetuesit kryesorë të të cilëve nuk janë njerëzit e parë të partive, por ministri i shëndetësisë, zyrtarët e shëndetësisë, epidemiologët, mjekët.

Edhe sondazhi i fundit i opinionit publik i realizuar nga Instituti për kërkime politike në Shkup midis 18 dhe 21 mars të këtij viti, kur filloi epidemia e koronavirusit, tregon se shumë qytetarë janë të kënaqur me punën e Ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe. Sipas anketës, 82% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e tij.

Vladimir Bozinovski nga Instituti i cili e hartoi studimin, për REL thotë se megjithatë është shumë herët për të parashikuar efektin e koronakrizës mbi politikën.

“Varet se sa do të zgjat kriza dhe si do zë përballemi me të, e vetëm atëherë do të shohim nëse do të kemi ndonjë efekt mbi politikën. Publiku është i preokupuar me koronavirusin dhe gjithçka tjetër është në plan të dytë”, thotë Bozinovski.

Ndërkohë, betejat e partiake nuk po ndërpriten, kështu që shtabet po akuzohen dhe kritikohen çdo ditë, duke e quajtur njëri-tjetrin kriminelët ose persona të cilët i binden dikujt, të paaftë ose shkatërrimtarë të cilët nuk kujdesen për qytetarët.

Sipas Nenad Markoviq, profesor në Fakultetin juridik Justiniani I, përveç mbështetësve partiakë, askush nuk e percepton më situatën me epideminë përmes prizmit të luftës ndër-partiake. Njerëzit, thotë ai, po përpiqen të dalin nga kjo situatë me sa më pak viktima që është e mundur, dhe kjo është arsyeja për të cilën  vëmendja e tyre është përqendruar në institucionet, pavarësisht se cila parti i drejton ata, dhe kah mesazhet e shtabeve partiake.

“E gjithë situatë me Kovid 19 është dramatike dhe shtimi i çfarëdo drame tjetër te popullata është diçka të cilën ata nuk do ta shikojnë si të mirë. Prandaj, unë mendoj se konfrontimi politik duhet të shmanget gjatë kësaj periudhe dhe ai duhet të shtyhet deri pas krizës, sepse ai mund të ketë efektin e kundërt nëse shumë këmbëngulet në të”, thotë Markoviq.

Sipas tij, do të ishte e mençur që të shtyhej beteja politike për kohë më të mira, kur të përfundojë e gjithë kjo punë, ndërsa deri atëherë thotë ai duhet të ndërtohet një atmosferë konstruktive e bashkëpunimit që do të ishte e dobishme për të gjithë.

Ndryshe, derisa sa u paraqit pandemia, tema kryesore në Maqedoni ishte rasti “Reket”, ndërsa  personazhe kryesorë  ishin drejtuesit e partive Zoran Zaev, Hristijan Mickoski, Ali Ahmeti dhe drejtues të tjerë. Tani lideri i LSDM-së paraqitet një herë në disa ditë, nga selia e partisë, kryesisht me propozime ekonomike, lideri i VMRO-DPMNE më shpesh me kritika ndaj qeverisë, ndër sa Ahmeti është më së paku në publik. Sidoqoftë, Markoviq thotë se është shumë herët të flasim për liderë të rinj të mundshëm që të dilnin nga kriza shëndetësore.

“Pozitat e liderëve të partive nuk dorëzohen aq lehtë pa marrë parasysh që kohë mund të lind heronj të rinj. “Ata, në vendin tonë, janë më rezistentë ndaj ndryshimeve dhe pavarësisht nga fakti se kjo krizë mund të lindë njerëz që do të jenë në plan të parë, e të cilët nuk do të jenë liderët standardë partiakë që do të rrezikojnë pozicionet e atyre që udhëheqin partitë më të mëdha politike”, tha Markoviq.

Përndryshe para pandemisë në Maqedoni ishte planifikuar të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhej të ishin këtë të diel 12 Prill, por ato u shtynë për shkak të virusit. Mbajtja e zgjedhjeve ishte rezultat i asaj që vendi nuk arriti të marrë datë për fillim të  bisedimeve me BE-në vjeshtën e kaluar, kryesisht për shkak të bllokadës së Francës, e cila kërkonte metodologji të re për negociata me vendet kandidate për BE.

Opozita insistoi të mbahen zgjedhje të parakohshme, e qeveria pranoi. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut u bë edhe zyrtarisht anëtare e NATO-s, ndërsa BE e aprovoi fillimin e negociatave, por e gjithë kjo tani ka rënë në plan të dytë për shkak të koronavirusit.

 

 
 
 
Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 11, 2020 21:39