Koronavirusi mbyll përfundimisht shkollat në Shqipëri, hapen vetëm për provimin e maturës

Desk
By Desk April 28, 2020 22:14

Koronavirusi mbyll përfundimisht shkollat në Shqipëri, hapen vetëm për provimin e maturës

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini deklaroi sot se “provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen mes datave 8-18 qershor 2020”.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë ministrja Shahini theksoi se“për shkak të provimit të maturës për maturantët kemi vendosur të hapim shkollat vetëm për klasën e 12-të për një periudhë 3-javore nga 18 maji – 5 qershor, ku do të punohet për mësimet që nuk mundet të zhvillohen online”.

“Në këtë periudhë do të punohet vetëm për lëndët e maturës shtetërore, vetëm programet e reja, që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie”, – tha ministrja.

Sipas saj, kjo na jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë vendit.

Ministrja Shahini u shpreh se “hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla”.

“Arsyeja se pse nuk mund të hapim të gjitha shkollat, ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumicën e shkollave, dhe pamundësinë që kjo paraqet në ruajtjen e distances sociale mes nxënësve. Gjithashtu, siç e dini për shkak të tërmetit, kemi një numër të shkollave që janë dëmtuar dhe jemi detyruar që një numër të nxënësve t’i kalojmë në shkolla me 2 turne. Kjo pamundëson higjienizimin e të gjithë shkollave pas çdo përdorimi”, – theksoi ministrja.

Më tej, Shahini u shpreh se ” vendosëm të hapim shkollat vetëm për gjeneratën e maturantëve, duke i shpërndarë nxënësit në të gjitha klasat e shkollave të tyre, në mënyrë që të sigurojmë distancën mes tyre – minimumi 1.5 m mes nxënësve ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numrin e nxënësve për klasë të mos e kemi më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme)”.

Sipas saj, që të realizojmë një numër kaq të vogël të nxënësve në klasë, do të përdoren edhe disa shkolla 9-vjecare në afërsi të shkollave të mesme.

“Institucionet e varësisë të MASR, kanë hartuar plane të detajuara të shpërndarjes së nxënësve nëpër klasa dhe shkolla. Listat emërore do të komunikohen me drejtuesit e shkollave dhe përmes tyre me nxënësit, që të mos ketë dilema se në cilën shkollë apo klasë do të vijojë mësimin secili maturant”, – tha Shahini.

Instituti i Shëndetit publik, vijoi ajo, në bashkëpunim me specialistët tanë dhe duke u bazuar në modelet që tashmë po zbatojnë vendet që kanë hapur shkollat, ka hartuar një rregullore për sjelljen e nxënësve në shkollë, duke zbatuar distancimin social në përpikmëri dhe higjienizimin ditor të ambienteve shkollore.

“Rregullorja ka të mirë-detajuar oraret specifike të hyrjes e të daljes; mbajtjen e distancës, mbrojtjen e nxënësve, kushtet higjieno-sanitare; formatin e qëndrimit dhe mësimit nëpër klasa; si dhe lëvizjet në ambientet e brendshme të shkollës etj. Kjo rregullore, sapo të mbyllet, do të publikohet, do të ndahet me të gjitha bashkitë që ato të mund të bëjnë dezinfektimin në kohë dhe do të printohet për secilën shkollë që secili nxënës, mësues apo staf i shkollës të mos ketë dilema për rregullat që duhen zbatuar gjatë qëndrimit në shkollë”, – nënvizoi ministrja.

Ministrja Shahini u shpreh se “kemi bërë një punë aq të mirë duke qëndruar dhe mësuar nga shtëpia, sa që kemi minimizuar infektimin e qytetarëve me koronavirusin e ri. Ndaj, edhe kjo hapje e pjesshme e shkollave duhet gjithsesi të mirëmbajë këtë arritje të mirë tonën. Mirëqenia e nxënësve tanë është gjëja më e rëndësishme për ne tani! Dhe këtu nuk po flas vetëm për shëndetin fizik, po flas edhe për shëndetin emocional-psikologjik të nxënësve dhe ngaqë po jetojmë e punojmë në kushte të vështira, do të jemi shumë të kujdesshëm me të gjithë”.

“Përveç shërbimit psiko-social shkollor që është në dispozicion të të gjithë nxënësve edhe sot përmes formës online, kemi vendosur gjithashtu të reduktojmë më tutje punën që maturantët do të bëjnë para provimeve të Maturës. Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore. Drejtorët e shkollave, duke filluar nga sot, do të hartojnë programet për secilën shkollë të mesme që të mundësojnë këtë përqëndrim të nxënësve në lëndët e këtij provimi të rëndësishëm”, – tha Shahini.

Sipas saj, provimet e maturës nuk do të përfshijnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie.

“Pra, janë të ndërtuara mbi bazën koncepteve të zhvilluara në klasën 10, 11, si dhe klasëm e 12-të gjatë kohës që kemi qenë në në shkollë”, – shtoi ajo.

Desk
By Desk April 28, 2020 22:14