Koronavirusi në Shqipëri, kufizohet lëvizja nga dita e mërkurë

Desk
By Desk November 9, 2020 19:50

Koronavirusi në Shqipëri, kufizohet lëvizja nga dita e mërkurë

Komiteti Teknik i Ekspertëve i Shqipërisë në një komunikim për mediat ka bërë me dije masat e fundit që do të ndërmerren me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka bërë me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve propozon mbylljen e aktiviteteve të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e lëvizjeve pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

“Kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 – 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme. Ndalohen aktivitetet e bareve – restoranteve nga ora 22:00 – 06:00, përveç shërbimit delivery”, tha Rakacolli.

Drejtuesja e Komitetit Teknik tha se për administratën publike rekomandohet puna nga shtëpia, në zbatim të protokolleve të sigurisë.

“Punë online për administratën publike në zbatim të protokolleve të sigurisë. Përjashtim bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë”, theksoi Rakacolli.

Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në 11 nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve.

Desk
By Desk November 9, 2020 19:50