Koronavirusi po ndryshon sjelljet në botë/ Nuk ka më shtrëngime duarsh, puthje dhe përqafime

Linda Limani
By Linda Limani March 3, 2020 13:50

Koronavirusi po ndryshon sjelljet në botë/ Nuk ka më shtrëngime duarsh, puthje dhe përqafime

Frika nga koronavirusi po ndryshon zakonet e vjetra në botë që janë përdorur për mirësjellje kur dy apo më shumë njerëz takohen.

Një video është bërë virale në rrjet ku Kancelares Angela Merkel i mohohet shtrëngimi i duarve nga Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, gjatë një ngjarje publike në Berlin.

Ndërkohë gazeta britanike ‘The Guardian’ ka përpiluar një listë vendeve ku kanë hyrë në fuqi zakonet e reja të përshëndetjes.

Kinë

Në Pekin, kryeqyteti i vendit ku filloi shpërthimi i koronavirusit, tabelat e kuqe u thonë njerëzve të mos shtrëngojnë duart por të bashkojnë duart e tyre së bashku në një shenjë përshëndetjeje.

Altoparlantët u thonë njerëzve të bëjnë gjestin tradicional gong shou (një grusht në pëllëmbën e kundërt) për të thënë përshëndetje.

Francë

Gazetat kanë qenë të mbushura me këshilla se si ta zëvendësojnë shtrëngimin e duarve – një formalitet i përditshëm për francezët në punë dhe puthjet në faqe, një zakon i rregullt përshëndetjeje në Francë edhe midis njerëzve që sapo janë takuar.

Eksperti i jetesës, Philippe Lichtfus, i cili është cituar shumë në media, insiston se shtrëngimet e duarve janë një zhvillim relativisht i fundit në historinë njerëzore që filloi në Mesjetë.

Ai thotë se thjesht shikimi në sytë e një personi mund të mjaftojë si përshëndetje.

Australi

Brad Hazzard, ministri i shëndetësisë i Neë South Wales, i këshilloi njerëzit të mos shtrëngojnë duart dhe në vend të kësaj t’i japin njëri-tjetrit një prekje në shpatulla. “Unë nuk do të them mos puth” tha ai, “por ju mund të bëni një kujdes me të cilin vendosni të puthni.”

Brazil

Ministria e shëndetësisë braziliane ka rekomanduar që qytetarët të mos ndajnë sende metalike të përdorura tradicionalisht për të konsumuar ushqim me të tjerët apo pijet freskuese.  Dhe një puthje – edhe nëse nuk është në buzë – këshillohet të shmanget.

Gjermani

Në shenjë të ndryshimeve, ministri i brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer kundërshtoi përpjekjen e kancelares Angela Merkel për të shtrënguar duart me të, këtë të hënë, duke buzëqeshur dhe duke mbajtur të dy duart drejt vetes. Të dy qeshën dhe Merkel e tërhoqi dorën e saj para se të ulej më pas në karrige.

Spanjë

Përhapja mund të godasë një nga traditat më të dashura të Spanjës – puthja e skulpturave të Virgjëreshës Mari në javën që paraprin Pashkët.

“Është një nga masat që është në tryezë,” tha zyrtari kombëtar i shëndetësisë, Fernando Simon.

Rumani

Festivali “Martisor” i Rumanisë shënon fillimin e pranverës kur do të dorëzohen vargjet dhe lulet talismanike, shpesh nga burrat tek gratë.

Por qeveria u ka përcjellë një mesazh njerëzve duke u kërkuar atyre që të dorëzojnë lulet dhe talismanët pa puthjen shoqëruese.

“Le t’i japim lulet, por jo puthjen,” tha Nelu Tataru, sekretari i shtetit në ministrinë e shëndetësisë.

Poloni

Në Poloni, një nga vendet më katolike të Evropës, besimtarëve u është kërkuar të mos zhysin duart në ujin e shenjtë kur hyjnë dhe dalin nga kisha.

Iran

Në Iran, ku 66persona kanë vdekur nga koronavirusi, një video ka shkuar virale që tregon tre shokë duke u takuar, por me duar në xhepat e tyre dhe dy prej të cilëve janë të veshur me maska.

Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Katari, po këshillojnë qytetarët të ndalojnë përshëndetjen tradicionale “hundë në hundë”. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu thanë që njerëzit nuk duhet të shtrëngojnë më duart ose të puthen. Përshëndetni njëri-tjetrin “duke tundur vetëm kokën”, ​​thanë autoritetet.

Top Channel

Linda Limani
By Linda Limani March 3, 2020 13:50