Koronavirusi, qeveritë marrin masa për të parandaluar recesionin

Desk
By Desk March 5, 2020 20:27

Koronavirusi, qeveritë marrin masa për të parandaluar recesionin

Epidemia e koronavirusit, që ka infektuar 92 mijë vetë dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 3,100 vetëve po kërcënon ekonomitë globale, duke goditur tregjet financiare dhe duke nxitur Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të marrin masa për të parandaluar recesionin.

Koronavirusi po fajësohet për paqendrueshmërinë e tregjeve në gjithë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, Rezerva Federale uli përqindjen e interesit këtë javë në një lëvizje urgjente që synonte mbrojtjen e ekonomisë nga pasojat e përhapjes së sëmundjes.

“Ne e kuptojmë që një ulje e përqindjes së interesit, nuk do t’i pakësojë rastet e infeksionit. Nuk do të ndreqë zinxhirin e furnizimeve. Nuk i kemi të gjitha përgjigjet”, tha Jerome Powell, kryetar i Bankës Qendrore amerikane.

Ishte hera e parë që Banka Qendrore ulte përqindjen e interesit që nga kriza financiare e vitit 2008, duke treguar urgjencën e parandalimit të një recesioni global të mundshëm.

Disa industri janë goditur rëndë.

“Koronavirus po shkakton dëme të mëdha në organizimin e panaireve. Në gjithë botën panairet po anulohen dhe do të ketë një efekt shkatërrues tek biznesi në dy drejtime: humbje në turizëm dhe në udhëtime”, thotë profesori Seth Green i Universitetit Loyola.

Në Çikago, Shoqata Ndërkombëtare e Paisjeve Shtëpiake e anuloi panairin që pritej të hapej në mes të marsit. 50 mijë pjesëmarrës nga 130 vende pritej të merrnin pjesë.

“Shumë njerëz nuk ishin të sigurt nëse ndjeheshin komodë të fluturonin, apo të merrnin pjesë në një panair që tërheq aq shumë njerëz nga e gjithë bota”, tha Leana Salamah një prej oganizatoreve.

Në Japoni, kryeministri Shinzo Abe premtoi se do ta mbronte ekonominë japoneze.

“Ne do të marrim masat e duhura sipas nevojave për të parandaluar një rrezik të mundshëm nga koronavirusi ndaj ekonomisë së Japonisë”, tha ai.

Ai ndërmori gjithashtu një hap të pashembullt, duke u kërkuar autoriteteve lokale të mbyllin shkollat. Kjo do të thotë që nxënësit do të rrinë në shtëpi të paktën deri në fillim të prillit.

“Do të ketë shumë sfida. Nëse fëmijët e klasave të ulëta të shkollës fillore rrinë në shtëpi, për shkak të mbylljes së shkollave, atëherë prindërve do t’u duhet të marrin leje nga puna”, tha kryeministri Abe.

Megjithë këto masa, Komiteti Ndërkombëtar i Lojrave Olimpike that ë mërkurën se vazhdon të përgatitet për Lojra “të suksesshme” verore në Tokio.

Kriza ka ndikuar edhe tek prodhimi i naftës.

Ministrat e vendeve të OPEC-ut, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, u mblodhën të mërkurën në Vienë për të diskutuar planet për të pakësuar prodhimin, duke pasur parasysh koronavirusin.

“Pas situatën e krijuar nga koronavirusi, kemi tepricë në treg. Është e nevojshme që vendet anëtare ose joanëtare të OPEC-ut të bëjnë diçka për të balancuar tregun”, tha Ministri iranian i naftës, Bijan Namdar Zanganeh.

Kjo është provë se asnjë sektor i ekonomisë nuk është i lirë nga ndikimi negativ i koronavirusit.

Desk
By Desk March 5, 2020 20:27