Kosovë, partitë opozitare kundër Projektligjit për pagën minimale

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Maj, 2022 20:09

Kosovë, partitë opozitare kundër Projektligjit për pagën minimale

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po diskutohet për ngritjen e pagës minimale në vend, por për këtë projektligj nuk janë duke rënë dakord deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Mërgim Lushtaku nga PDK tha se këtë projektligj nuk do ta votojnë pasi sipas tij është shkelur përcaktimi i pagës minimale si në kategorinë e veteranëve të luftës dhe personat me aftësi të kufizuar.

Lushtaku tha se në esencë e mbështesin rritjen e pagës minimale, por siç tha ai pozita duhet të bëjë një dialog social.

“GP i PDK-së i ka shqyrtuar projektligjet që përcaktojnë shumën për lartësinë e pagës minimale. Këtë projektligj nuk do ta votojmë se shkel përcaktimin e pagës minimale, personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët e luftës. Ju si LVV, e dimë shumë mirë që keni harruar shumë me ardhjen në pushtet dhe keni harruar edhe dialogun social. Kjo që synon rritjen e pagës minimale (në esencë e mbështesim rritjen e pagës minimale), por duke e bërë me një dialog social. LVV synon që me rritjen e pagës minimale, të arrij targetin e vet e gjoja kemi rrit pagën minimale. Kurti ka premtuar se paga minimale do të jetë jo më e vogël se 350 euro dhe kjo është një shkelje tjetër e premtimit të tij. Si PDK e shohim që po bëhet një dëm i madh tek këto familje dhe nuk do ta votojmë këtë projektligj”, ka thënë Lushtaku.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se ky projektligj për mënyrën se si është shkruar është njëra nga ligjet më të pakuptimta.

Hoti tha se kur vendoset paga minimale bëhet ruajtja e një kategorie të personave që marrin një pagë të ultë.

“Për mënyrën se si është shkru dhe është prezantu është njëra nga ligjet më të pakuptimta. Kur vendoset paga minimale vendoset ruajtja e një kategorie të personave që marrin një pagë të ultë, dhe janë kategoritë e caktuara të shoqërisë që i lidh me pagën minimale, kjo është praktikë ndërkombëtare për të ruajtur standardin e jetës”, tha ai.

Deputeti i LDK-së tha se mënyra se si është shkruar ky ligj nuk arrin qëllimin për barazi sociale.

“Jo vetëm të konsumohet dialogu publik, por të arrihet një dakordim. Në këtë nen hiqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Ka pas një arsye të madhe pse janë lidh këto dyja. Përfitimi që marrin si pension të veteranit të luftës, është si burim i të ardhurave dhe rrjedhimisht është lidhur me pagën minimale. Nuk mund ta rrisësh pagën minimale dhe veteranit jo. Ligji ose duhet të tërhiqet ose duhet me shumë seriozitet të rishqyrtohet”, tha ndër të tjera Hoti.

Edhe Bekë Berisha nga AAK-ja tha se janë kundër këtij projektligji.

Berisha u shpreh se kategorinë e veteranëve të luftës në këtë projektligj e shohin shumë diskriminuese.

“Vetëm veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim por burim për ekzistencë. Dhe nëse e marrin këtë pension nuk kanë të drejtë të punojnë diku tjetër, e shohim si qasje diskriminuese. Të rregullohet ky nen që të jetë në proporcion me pagën minimale. Kjo kategori këtu në kuvend s’duhet të diskriminohet. Ne jemi kundër këtij projektligji”, tha deputeti Berisha.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Maj, 2022 20:09