Kosovë, raport mbi Asociacionin e Komunave Serbe

Kosovë, raport mbi Asociacionin e Komunave Serbe

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe paraqet një sfidë për stabilitetin politik në Kosovë, sundimin e ligjit dhe kredibilitetin e Bashkimit Europian, thuhet në një raport nga “Marrëveshja e madhe”, një nismë qytetare për mbikëqyrjen e negociatave Kosovë-Serbi.

Autori i raportit “Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi”, Bodo Weber vlerësoi se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin është konfuz.

“Në përgjithësi vendimi mbetet konfuz për lexuesin dhe shumë i vështirë për t’u lexuar, për dy arsye. Së pari është një gjuhë shumë e zbehtë dhe e thjeshtë. Disa dispozita nuk përputhen me Kushtetutën apo ngrenë shqetësime lidhur me Kushtetutën. Së dyti është e pamundur të identifikohen vlerësimet e gjykatës lidhur me kundërthënien në fjalë, pra për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Bodo Weber, ekspert gjerman nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave, autor i raportit.

Zëvendëministri i Pushtetit Lokal në Kosovë pranon ekzistencën e paqartësive, por tha se çdo hap në këtë drejtim do të jetë i matur.

“Unë jam jurist, por vërtet kam pasur problem në leximin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë, ne do të themelojmë një ekip special ekspertësh kushtetues për hartimin e statusit. Qeveria e Kosovës ka vendosur që çdo vendim në lidhje me themelimin e Asociacionit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bajram Gecaj, zv.ministër i MAPL-së.

Ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se, në hartimin e statutit të Asociacionit, të dyja palët duhet të kenë parasysh shqetësimet e njëri-tjetrit.

“Serbët e Kosovës, siç e dini, kanë frikë nga integrimi. Në anën tjetër, shqiptarët e Kosovës kanë frikë lidhur me atë se çfarë do të sjellë Asociacioni. Mbase frikë se nuk do të ndihmojë në integrimin e serbëve në Kosovë. Unë mendoj se është me rëndësi, që të dyja palët të bëjnë përpjekje për të kuptuar dhe për të respektuar frikën dhe shqetësimet e njëri-tjetrit”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë.

Në raport theksohet se, tri vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë mbi parimet, janë zbatuar vetëm 4 nga 16 marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 20, 2016 07:00

REKLAMA