Kosovë, shënohet 22 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Desk
By Desk March 5, 2020 20:00

Kosovë, shënohet 22 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Kosova shënon 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të Jasharëve.

Krerët shtetëror kanë bërë homazhe tek të rënët e UÇK-së dhe familjes Jashari, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë dekorata për ta. Në fjalën e rastit ai deklaroi se familja Jashari janë krenaria e kombit.

Po shënojmë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditët ku komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari bën atë që të tjerët kudo në botë nuk e kishin bërë, sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Lufta heroike e komandantit legjendar dhe familjes Jashari është nderi dhe krenaria e kombit në të njëjtën kohë është edhe udhërrëfyesi për të ardhmen për shtetin e Kosovës për kombin shqiptar për të ardhmen e Kosovës që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s e BE-së – tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Me rastin e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të veçantë, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtar të familjes Jashari. Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e familjes Jashari nuk do të kishte UÇK.

Ata nuk luftuan për pak shtet dhe pak Republikë, por ata dhanë gjithçka nga vetja që ne të arrijmë gjithçka që na takon. Lirinë që e gëzojmë sot, e kemi para së gjithash nga dëshmorët e martirët e kombit, aty mbi të gjitha nga Jasharajt. Faktori tjetër është NATO dhe ndërhyrja kundër Jugosllavisë dhe Millosheviqit. E më pas janë kontributet e të tjerëve, të të gjithë neve që mbetëm gjallë. Nëse ngatërrojmë këtë renditje, atëherë do të ngatërrojmë hapat për të tashëm dhe do të mundemi të rrëzohemi në të ardhmen – deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se familjarët e Adem Jasharit, mbajnë gjallë kujtesën e veprave të tyre.

Sot fëmijët e familjes Jashari janë këtu për të na e mbajtur të gjallë kujtimin e dhembjen, për të na e kujtuar fatin e familjes së tyre e të gjithë Kosovës së atyre viteve, për të na e përcjellë edhe një porosi bashkë me praninë e tyre, që dhimbjen e familjes Jashari e dhimbjen e të gjithë atyre që ranë për liri ta kthejmë në frymëzim për jetën e sotme. Ta kthejmë në fuqi për ta ndërtuar edhe më tej Republikën tonë – tha Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Përveç përfaqësues të familjes Jashari, pjesë e seancës së veçantë të Kuvendit ishin dhe personalitete nga institucione të ndryshme. Ndër aktivitetet tjera për shënimin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-s, shkollat fillore dhe të mesme orën e parë mësimore ia kushtuan kësaj ngjarje. Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, forcat serbe rrethuan Prekazin dhe familjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Në rrethimin dhe luftimet tre ditor, u vranë 55 njerëz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina. Ndërsa të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Desk
By Desk March 5, 2020 20:00