Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, e cila përballet me vendime të vështira dhe të guximshme. Këtë garanci e mori kryeministri Kovaçevski në Shkup gjatë takimit me senatorin amerikan, Kris Marfi.
“Jam këtu për të siguruar që Shtetet e Bashkuara t’u dërgojnë një mesazh të fortë partnerëve të saj në Parlament se ne ju mbështesim në vendimin tuaj për integrimin evropian dhe ju nxisim që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për ta bërë këtë. E di që rruga drejt Bashkimit Evropian ka qenë e gjatë dhe shumë venë në dyshim nëse BE-ja është mundësia e duhur. BE-ja është mundësia e vërtetë. Amendamentet kushtetuese, pra amendamentet teknike të Kushtetutës janë një mundësi e qartë për Maqedoninë e Veriut që të anëtarësohet në Union.”, – deklaroi senatori amerikan, Kris Marfi.
Kryeministri Kovaçevski, nga ana tjetër, tha se na pret një rrugë me vendime të vështira dhe të guximshme, me mbështetjen e ShBA-ve dhe përfaqësuesve të lartë të saj. Ai paralajmëroi vendime të vështira në mënyrë që qytetarët të kenë standardin që kishin në kohën e ish- Jugosllavisë.
“Falë mbështetjes së miqve të sinqertë si ShBA-të, Maqedonia sot është bërë vend që është faktor stabiliteti në rajon dhe anëtar i NATO-s. Vendi ynë e ka origjinën nga ish-federata jugosllave. Në atë kohë kishim një standard më të lartë se Sllovakia dhe Çekia, Rumania, Polonia, Bullgaria dhe të gjitha vendet e tjera që u bënë anëtare të BE-së. Unë do t’i marr dhe do t’i udhëheq të gjitha vendimet e nevojshme që do të sigurojnë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe një herë të kenë një standard më të lartë, se sa qytetarët prej të cilëve kemi pasur standard më të lartë, sepse qytetarët tanë e meritojnë këtë.”, – theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Në takimin e kryeministrit Kovaçevski dhe senatorit amerikan Murphy, përveç rrugës së integrimit evropian të vendit dhe anëtarësimit në NATO, në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-ve, si dhe reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.