Kovaçevski: Propozimi të përmbajë garanci se nuk do të ketë pengesa të reja

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Qershor, 2022 19:34

Kovaçevski: Propozimi të përmbajë garanci se nuk do të ketë pengesa të reja

Duke komentuar propozimin francez për tejkalimin e kontestit mes Shkupit e Sofjes, kryeministri Kovaçevski tha se zgjidhja e mundshme duhet të përmbajë garanci, se në të ardhmen nuk do të jemi më të penguar në integrimet evropiane, shkruan Alsat.

Sipas tij, propozimi i Makronit ende nuk është harmonizuar mes të gjitha vendeve anëtare të BE-së, kështu që ky propozim deri më tani nuk është dorëzuar tek ne.

“Kur të jetë gati, ai dokument do të na dorëzohet, nëse nuk harmonizohet mes të gjitha shteteve anëtare, sepse duhet të harmonizohet me Republikën e Bullgarisë dhe atëherë natyrshëm do të japim vërejtjet tona. Unë i kam thënë qëndrimet tona, ato janë shumë qartë të përcaktuara në Kuvendin tonë, të cilit i përmbahemi – nuk flitet për gjuhën maqedonase, nuk flitet për identitetin maqedonas”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Sipas Kovaçevskit, propozimi francez tashmë është dërguar në Sofje dhe është në dorën e institucioneve bullgare ta komentojnë atë. Mediat bullgare njoftuan se propozimi francez është dorëzuar në Komisionin për politikë të jashtme. Pas dy ditëve të dramës politike në Bullgari, dhe mungesës në publik, sot u paraqitur presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, i cili tha se Petkov duhet ti mbrojë interesat kombëtare.

“Qeveria duhet ti largojë të gjitha dyshimet se mund të tërhiqet nga vetoja për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri niset për në Bruksel javën e ardhshme për të mbrojtur interesat kombëtare. Edhe Asambleja Kombëtare dhe bullgarët duhet të dinë qartë se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri, dhe ai nuk duhet të kundërshtojë kornizën e Këshillit Konsultativ të Sigurisë”, u shpreh Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Se çfarë përmban saktësisht propozimi i Makronit mbetet sekret, por sipas mediave bullgare, propozimi parashikonte edhe kërkesat bullgare që të jenë pjesë e kornizës  kuadrit negociator, që do t’i propozohen vendit. Megjithatë, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhei thotë se për momentin nuk mund të bëhet fjalë për një kornizë negociuese për shkak të situatës në Sofje, por njëkohësisht shpreson se nuk do të kalojnë muaj apo vite para se Shkupi dhe Tirana të zhvillojnë një konferencë ndërqeveritare.

“Politika e brendshme duket e aftë ta dëmtojë besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Prandaj, në këtë fazë nuk mund të flasim fare për ndonjë kornizë negociuese”, theksoi Oliver Varhei – Komisioner i BE-së për Zgjerim.

Disa vende anëtare të BE-së, kanë thënë më parë se për ata nuk është e pranueshme, që çështjet dypalëshe të jenë pjesë e kornizës negociuese, siç ka këmbëngulur Bullgaria. Sofja zyrtare ka afat deri të martën të përgjigjet, nëse propozimi i Parisit është i pranueshëm, kur edhe do të mbahet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së./ Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Qershor, 2022 19:34

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare