Kredi për deponinë e mbeturinave inerte

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Korrik, 2022 20:29

Kredi për deponinë e mbeturinave inerte

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se për një menaxhim të mirë të mbeturinave, si dhe për një Pollog ekologjik të pastër, nevojiten mjete financiare, ndërsa kërkoi nga ministri Nuredini përshpejtimin e procedurave për marrje të kredisë.

Komunat e Pollogut ende janë në pritje të marrjes së kredisë për ndërtimin e një deponie për grumbullimin e mbeturinave të forta. Kredia duhet të merret përmes Ministrisë së Ekologjisë, sepse komunat nuk kanë buxhet të ndërtojnë një deponi ku do të trajtoheshin këto mbeturina të cilët edhe sot e kësaj dite hidhen nëpër vende joadekuate në tërë territorin e komunave të Pollogut. Ndërkohë, në Komunën e Bogovinës është mbajtur mbledhja e radhës e Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku në prani edhe të ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, është  diskutuar faza e dytë e projektit “Plani Rajonal për menaxhim të mbetjeve të ngurta”. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se për një menaxhim të mirë të mbeturinave, si dhe për një Pollog ekologjik të pastër, nevojiten mjete financiare.

“Në atë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ambientit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ku biseduam për një linjë kreditore, të cilin duhet që ta marrë shteti për të gjitha rajonet zhvillimore dhe komunave për menaxhim me mbeturinat. Ne kërkuam informacione direkte nga ministri se deri ku kanë arritur punët për marrjen e kësaj linje kreditore dhe treguam gatishmërinë tonë të jemi pjesë aktive që sa  më shpejtë ky projekt të realizohet që komunat të kenë mundësi që në mënyrë sa më efikase, konform standardeve të Bashkimit Evropian, të menaxhojmë me një çështje shumë të rëndësishme siç janë mbeturinat e forta”, tha Kasami.

Në muajin prill, kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kishte  thënë se dy lokacione janë duke u shqyrtuar si stacion për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave të forta. “Lokacioni i parë është në atarin e fshatit Falishtë, ndërsa lokacioni i dytë është në Komunën e Bogovinës, në kuadër të rajonit zhvillimor të Pollogut dhe propozimi fillestar ka qenë që të jetë në Komunën e Bogovinës, por ende nuk kemi përgjigje si qendër e Pollogut se a ka pajtueshmëri nga Komuna e Bogovinës për lokacionin e dytë, i cili ka të bëjë me investim privat, pra lokacioni i parë është në Komunën e Tetovës dhe i dyti në kuadër të Komunës së Bogovinës”, kishte njoftuar kohë më parë Kasami. Por, edhe përskaj kësaj, ende nuk është marrë vendim nga ana e komunave të Pollogut se ku do të ndërtohet një deponi e tillë. Nga ana tjetër, mungesa e deponisë adekuate për mbeturinat e forta apo inerte vazhdon të jetë problem permanent në rajonin e Pollogut. Shumë qytetarë, por edhe kompani gjatë rrënimit apo rikonstruimit të objekteve të tyre, mbetjet e forta i hedhin në hapësira publike, në mungesë të një deponie enkas për këtë qëllim. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Korrik, 2022 20:29