Kreu i BFI-së dhuroi 3 mijë maska mbrojtëse për Spitalin Klinik të Tetovës

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 20:02

Kreu i BFI-së dhuroi 3 mijë maska mbrojtëse për Spitalin Klinik të Tetovës

Sot jemi këtu për të ndihmuar Spitalin Klinik të Tetovës jo vetëm me maska, por edhe me mjete të tjera. Duhet të jemi me popullin tonë si në gëzim, ashtu dhe në hidhërim. I bëj lutje popullit që mos t’i nënshtrohet panikut.

S’ka vend për pesimizëm, për shkak se ai që jep dhe që merr jetë është Zoti i madhërishëm, kështu që duhet t’i stimulojmë njerëzit që kjo situatë të kalojë sa më shpejt – ka thënë më 8 prill, 2020, në Myftininë e Tetovës, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.

Kreu i BFI-së, me bashkëpunëtorë, në Myftininë e Tetovës ka ndarë 3 mijë maska mbrojtëse për Spitalin Klinik të Tetovës. Pas Shkupit dhe Gostivarit, kemi ardhur në Tetovë, do të shkojmë edhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, për të dhënë kontributin tonë si BFI në luftimin e pandemisë që ka përfshirë pothuajse tërë botën – ka shtuar Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi dhe ka nënvizuar: “Gjithmonë duhet të jemi tok, të bashkuar, për shkak se vetëm kështu më lehtë do t’ia dalim me virusin. Myftinia e Tetovës e ka përcjellë me shumë kujdes dhe me vigjilencë të madhe situatën në terren dhe ne jemi mirënjohës për këtë.”

Prof. dr. Qani ef. Nesimi, Myfti i Myftinisë së Tetovës, ka deklaruar se i është raportuar Reis’ul-Ulemasë për gjendjen në të gjithë hapësirën e Myftinisë që ai drejton, për respektimin e rregullave dhe të urdhëresave të ardhura nga organet më të larta të BFI-së dhe të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga Qeveria. Njoftimi ka përfshirë virusin Korona dhe situatën e përgjithshme, hallet dhe dertet e besimtarëve, si dhe përgatitjet e tyre në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit.Kryetari i BFI-së në Tetovë ka qenë i shoqëruar nga Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, i Gostivarit h. Shaqir ef. Fetahu, i Strugës Salim ef. Sulejmani, i Ohrit Samet ef. Hajdari, i Kumanovës Abedin ef. Imeri, i Shtipit mr. Nasir ef. Rexhepi, nga Sekretari i Përgjithshëm Irsal ef. Jakupi, Kryetari i OH “Hilal” Mustafa ef. Dauti, drejtori për Diasporë dr. Selver ef Xhemaili e të tjerë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 20:02