Kriza e besimit në Izrael dhe në sionizëm

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Nëntor, 2023 20:27

Kriza e besimit në Izrael dhe në sionizëm

Ngritja e së djathtës ndërmjet luftërave të Evropës, idenë e sionizmit e bëri më bindëse, por pika e vërtetë e kthesës erdhi çuditërisht vonë me programin Biltmore të vitit 1942, kur hebrenjtë e Amerikës mbështetën thirrjen për migrim të pakufizuar në Palestinë

Nga Mark MAZOWER

Pas masakrave të 7 tetorit të kryera nga Hamasi, pak reagime binin në sy si ylli i verdhë që mbahej nga ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan. Duke protestuar për pasivitetin e Këshillit të Sigurimit përballë mizorive, në mënyrë eksplicite e ngjalli kujtimin e një brezi të mëparshëm të hebrenjve evropianë nën nazizëm. Ajo që e bëri këtë gjest kaq provokues ishte se fliste për gjendjen e sotme shpirtërore në Izrael, në kohën kur duket se opinioni publik ndërkombëtar po kthehet kundër tij. Tronditja e qartë që pasoi sulmin e Hamasit pjesërisht e pasqyroi shkallën, shpejtësinë dhe karakterin brutal të vrasjes: me siguri, kjo ishte humbja më e madhe e jetës civile në Izrael – brenda një dite – që nga pavarësia. Megjithatë, intensiteti i reagimit të shtetit nuk mund të shpjegohet vetëm me numra, as edhe me ndikimin e drejtpërdrejt të imazheve të masakrës. Gjesti i Erdanit përçoi ndjenjën e paprecedentë të cenimit që mund të kuptohet vetëm në aspektin historik.

Si kredo politike, sionizmi daton vetëm nga fundi i shekullit XIX dhe u desh një kohë që të bëhej dominues. Shumë hebrenj preferuan idenë e asimilimit dhe një rrymë e caktuar anti-sioniste në veçanti rrodhi nëpërmes lëvizjes socialiste të hebrenjve. Për një kohë të gjatë, edhe ata hebrenj që zgjodhën emigracionin, në përgjithësi nuk shkuan në Palestinë.

Ngritja e së djathtës ndërmjet luftërave të Evropës, idenë e sionizmit e bëri më bindëse, por pika e vërtetë e kthesës erdhi çuditërisht vonë me programin Biltmore të vitit 1942, kur hebrenjtë e Amerikës mbështetën thirrjen për migrim të pakufizuar në Palestinë. Pas Luftës së Dytë Botërore, mbyllja graduale e destinacioneve të tjera të mundshme e ndihmoi kauzën sioniste. Këtë e bëri edhe vetë pavarësia, dhe popullsia hebraike e shtetit të ri shpejt u dyfishua falë emigrantëve nga vendet arabe dhe nga Evropa Lindore. Pas luftës, pretendimi i sionizmit se përgjigja ndaj antisemitizmit ishte pavarësia e hebrenjve, dukej se shfajësohej prej vetë ngjarjeve. Asnjëra prej krizave të sigurisë së Izraelit, në dekadat në vijim, në thelb nuk e sfidoi kredon sioniste se vendi më i sigurt për hebrenjtë ishte që të jenë në shtetin e tyre. Falë refuzimit të fqinjëve arabë për ta njohur, vendi ekzistonte në atë që paraqiste gjendje të përhershme lufte. Megjithatë, ngjarjet e vitit 1967 e demonstruan epërsinë ushtarake të Izraelit në një konflikt konvencional. Problemi i saj kryesor (dhe asnjëherë i zgjidhur) ishte se si t’i kthente fitimet territoriale nga fushëbeteja, në një paqe të qëndrueshme.

Lufta e vitit 1973 ishte më e vështirë, por rezultati ishte i njëjtë dhe pasojat gjeopolitike edhe më të favorshme: ndikimi sovjetik u dobësua, hegjemonia e ShBA-së u shtri në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Izraeli gëzonte marrëdhënie të veçantë dhe gjithnjë e më të ngushtë me Uashingtonin. Të gjitha këto konflikte ishin ushtarake, në të cilat viktimat civile izraelite ishin të lehta. Kjo e fundit veçanërisht ndryshoi gjatë intifadës së dytë të viteve 2000-05, por policia dhe represioni izraelit i përmbajti ato brenda kufijve politikisht të pranueshëm. (Viktimat palestineze ishin më të larta, por të parëndësishme në aspektin ndërkombëtar.) Viteve të fundit, më të afërta se kurrë dukeshin perspektivat për normalizim paqësor të pozicionit diplomatik të Izraelit.

Me pak fjalë, asgjë nuk i përgatiti izraelitët për sulmin në të cilin vendi i tyre doli të ishte i paaftë për të parandaluar vrasjen dhe rrëmbimin e civilëve të zakonshëm – në shkallën që u pa më 7 tetor. Ndoshta, për herë të parë që nga pavarësia, u përball me një sulm që vuri në pikëpyetje premisën bazë të ëndrrës sioniste: se një shtet hebre do të ishte shtëpia më e sigurt për hebrenjtë. Veprimi i Erdanit flet për perspektivën e ndryshuar që tashmë është hapur. Ashtu siç fillimisht mbahej nga hebrenjtë e pambrojtur në Evropën e pushtuar nga nazistët, ylli i verdhë iu imponua atyre nga një regjim që përkushtohej për asgjësimin e tyre. Nga ana tjetër, burri që muajin e kaluar zgjodhi ta mbante atë në Nju-Jork, përfaqësonte vetë gjendjen që supozohej të ishte përgjigja për problemin: gjesti i tij dukej se pyeste nëse me të vërtetë ishte ashtu.

Ajo që gjestin e tij e bëri edhe më të habitshëm ishte se mbështetej në një krahasim të nënkuptuar mes Rajhut të fuqishëm Tretë, hegjemonit kontinental dhe shtetit më të përparuar në aspektin industrial dhe ushtarak në Evropë në atë kohë, dhe Hamasit – një organizate militante që drejtonte një territor të vogël të mbipopulluar, ku dy të tretat e popullsisë jetojnë në varfëri dhe ku shumica, për të mbijetuar, janë të varur nga ndihma ndërkombëtare. Fakti se një kundërshtar relativisht i vogël dhe i dobët mund të provokojë këtë lloj reagimi, na tregon se sa thellë shkon kriza e besimit brenda Izraelit. Koha do të tregojë nëse është e arsyeshme.

(Autori është historian, profesor në Universitetin e Kolumbias)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Nëntor, 2023 20:27

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare