Kriza energjetike, Kopaç: Zgjidhja, në burimet e rinovueshme të energjisë
Kriza energjetike ka përfshirë jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por gjithë botën, thotë kreu i sekretariatit të komunitetit të energjisë, Janez Kopaç. Në një vizitë që kishte sot në Komisionin Rregullator Energjetik në vend ai theksoi se dalja nga kjo krizë duhet të kërkohet përmes investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë.
“Në këto kriza më lehtë mbijetohet vetëm me prodhim vendor të energjisë, por RMV nuk ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike, pra nuk ka prodhim të mjaftueshëm në TEC Manastir dhe gjithçka varet nga importi. Ajo nuk mund të zgjidhet brenda natës, nuk mund të zgjidhet për kohë të shkurtër, duhet investime në burime të reja të rinovueshme të energjisë përmes elektranave Çebren, e cila do të mund të ndikojë në uljen e krizës.”,- tha drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç.
Kursimi i energjisë ndikon në zbutje të krizës. Pas takimit, kreu i Komisioni Rregullator Energjetik në vend, Marko Bislimovski, u shpreh se do të vazhdojë të inkurajojë kompanitë e sektorit energjetik që të vazhdojnë fushatën e kursimit.
“Për momentin ka shumë fushata publike për kursim nga ana e kompanive nga ky sektor që madje janë edhe të obliguar ligjërisht të zhvillojnë aso fushata. Gjithsesi se rekomandoj kursimin gjithkund ku mundet jo vetëm në institucione publike por edhe në amvisëritë dhe gjithsesi të investohet në aparate për efikasitet energjetik.”,- u shpreh kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën gjendjen e krizës në sektorin energjetik me qëllim injektimin e mjeteve nga buxheti i shtetit në kompanitë prodhuese të energjisë elektrike./ Tvm2