Nga Ministria e Ekonomisë thonë se po punohet të vendosen në funksion të gjitha kapacitetet vendore për prodhimin e rrymës që të mos vijë deri tek rritja e këtij energjensi për amvisëritë.
Të martën e ardhshme pritet që qeveria të vendosë krizë energjetike për të menaxhuar më lehtë problemin me furnizimin e rregullt dhe të pandërprerë me energji elektrike. Nga Ministria e Ekonomisë si dikaster përgjegjës për energjinë në vend, thonë se nuk do të ketë restrikcione të rrymës, ndërsa qëllimi i shpalljes së gjendjes së krizës është të injektohen mjete nga buxheti drejtpërdrejt në kompanitë energjetike në pronësi të shtetit si ElektroEkonomia e Maqedonisë ku bëjnë pjesë termocentralet dhe hidrocentralet si dhe në kompaninë për transmetimin e energjisë elektrike. “Për momentin nuk kemi probleme me furnizimin me rrymë tregojnë të dhënat e disponueshme, ndërsa kriza po shfaqet si rrjedhojë e tronditjeve të mëdha në bursat e rrymës, andaj do të kërkojmë që qeveria në mbledhjen e radhës të shpallë krizë energjetike”, thotë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Sipas tij, nga ana e Ministrisë së Financave janë siguruar 100 milionë euro për intervenim të drejtpërdrejtë në dy kompanitë shtetërore me qëllim që operatori i sistemit elektropërçues të mund të mbulojë borxhet, ndërsa ElektroEkonomia të sigurojë qymyr për prodhimtarinë e energjisë elektrike. Ai shton më tej se po punohet që të vendosen në funksion të gjitha kapacitetet vendore për prodhimin e rrymës që të të mos vijë deri tek rritja e këtij energjensi për amvisëritë.
Të dhënat tregojnë se në bursat botërore kostoja e rrymës është 200 euro për megavat orë, ndërsa kostoja nga prodhimtaria vendore është 56 deri 70 euro për megavat orë. Për mbrojtjen e standardit të qytetarëve është ulur edhe TVSH-ja e energjisë elektrike si dhe mbi 30 mijë amvisëri fitojnë kupona në vlerë prej 1000 denarë .
Nga ana tjetër, për vendosjen eventuale të shkurtimeve në ndërprerjen me energji elektrike sipas ligjit formohet Komision për gjendjen elektroenergjetikë të krizës që përbëhet nga përfaqësues nga kompanitë prodhues, të transmetimit, distribuimit, Komisionit Rregullator për Energjetikë, dhe Ministrisë së Ekonomisë. Pas miratimit nga ana e këtij komisioni të vendimit për shpalljen e gjendjes së krizës me energjinë, ai e dorëzon atë në qeveri. Gjithashtu ai ka kompetenca edhe për ndërprerjen eventuale apo vazhdimin e gjendjes së krizës. Në ndërkohë me dekretin qeveritar të miratuar më 30 tetor, që ka hyrë në fuqi, pas shpalljes në Gazetën Zyrtare, parashikohet kalimin pa pengesa e i të hollave nga arka e shtetit, si dhe nga burimet e tjera për të mbuluar humbjet e shkaktuara nga disbalansi në sistemin energjetik i shkaktuar nga tërheqja e sasive më të mëdha nga sistemi evropian i furnizimit me rrymë si rrjedhojë e pamundësisë së disa kompanive tregtare që të furnizojnë me kohë blerësit e tyre. Gjithashtu dekreti parashikon kufizime, por jo për amvisëritë, me rastin e vendosjes së krizës energjetike si fikja e të gjitha reklamave. Kufizime këto që mund të vendosen, por aktualisht nuk pritet edhe të zbatohen në praktikë. Ato parashikojnë ndriçimi i rrugëve, shesheve dhe ndërtesave të tjera të zvogëlohet deri në një nivel minimal sigurie të ndriçimit. Gjithashtu mund të kufizohet edhe ndriçimi i vitrinave të dyqaneve me një vëllim minimal sigurie të ndriçimit si dhe mund të vendoset edhe ndalimi i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje shtesë të ambienteve zyrtare dhe afariste.
Nga ana tjetër, pas sigurimit të sasive të mjaftueshme të qymyrit për nevojat e Termocentralit të Osllomesë, pritet që të zgjidhet edhe ofertuesi më i mirë prej nëntë kompanive për sasitë prej 900 mijë tonë të kërkuara për nevojat e bllokut të tretë prodhues të Termocentralit të Manastirit. Pritet që javën e ardhshme të zyrtarizohet edhe përzgjedhja e ofertuesit për 300 mijë tonë qymyr dhe të nënshkruhet kontrata për blerjen e 300 mijë tonë qymyr për kapacitetet prodhuese të Termocentralit të Osllomesë. Ekspertët e energjetikës vlerësojnë se ka pasur nevojë që më parë të intervenohet me masa të ndryshme për të parandaluar problemet me furnizimin me energjinë elektrike. “Miratimi i gjendjes së krizës është i vonuar për shkak se veçmë një kohë të caktuar kemi probleme dhe jemi në gjendje të krizës ku kemi tejkaluar edhe 40 për qindshin e bilancit të paplotësuar, dhe kemi arritur në 50 për qind. Tani të shpresojmë se prodhimi në Termocentralin e Manastirit do të rrjedhë pa probleme “, thotë eksperti i energjetikës, Konstantin Dimitrov.
Ndryshe, një nga problemet kryesore të furnizimit stabil dhe të sigurt me energji elektrike janë edhe mos realizimi i asnjë projekti madhor energjetik nga të gjithë qeveritë në të kaluarën, por edhe kësaj aktuale për ndërtimin e një impianti bazë për prodhimin e rrymës që do të zëvendësojë Termocentralin e Manastirit prej të cilit sasitë e para të rrymës janë fituar në vitin 1982 kur është lëshuar në përdorim blloku i parë, ndërsa me rikonstrumin e vitit 1994 është rritur për 15 megavat shtesë fuqia apo në 45 megavat orë. Në plan është edhe gazifikimi në vitet e ardhshme i Termocentralit të Manastirit. Në ndërkohë nuk janë realizuar as hidrocentralet Çebren dhe Galishte që kanë kosto të lartë të ndërtimit dhe do të mbulonin vetëm 5 për qind të nevojave për rrymë, dhe nuk është destinuar të prodhojë me rrymë nga mazuti me gaz as Termocentrali i Negotinës që mund të mbulojë deri në 20 për qind të konsumit vendor të rrymës. Maqedonia e Veriut ka hyrë në projektin e madh të investimit në Centralit me gaz dhe terminalin e gazit në Aleksandropolis në Greqi që duhet të sigurojë stabilitet afatgjatë energjetik. Apo me fjalë të tjera do të furnizohet me gaza nga Azerbejxhani dhe me gaz të lëngshëm nga ShBA-të dhe shtete të tjera. Pas nënshkrimit zyrtar të memorandumit është hapur edhe rruga që pas dy vitesh me një investim prej 380 milionë euro të sigurojmë gaz nga burime tjera përskaj gazsjellësit nga Bullgaria që aktualisht ka një përdorim më të vogël.
NË BE, KOSTO E LARTË E RRYMËS
Në fillim të javës çmimi mesatar i energjisë elektrike në Evropë është shtrenjtuar në mesatarisht 192.54 euro për megavat orë me përjashtim të Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë. Vlerësohet se shtrenjtimi vjen si rrjedhojë e rritjes së çmimit të gazit natyror, pasi dërgesat e gazit rus nga Polonia në Gjermani përmes gazsjellësit Jamal-evropa ishin ndalur të hënën. Në Bullgari rryma është liruar për 4.3 për qind, apo në 195.85 euro për megavat orë. Në Bullgari çmimet ndikohen me të madhe edhe nga përfundimi i remontit vjetor në bllokut gjashtë të Centralit bërthamor Kozlloduj dhe inkuadrimit të tij në sistemin elektroenergjetik bullgar. Njëherësh nga fillimi i këtij viti e këndej, çmimi mesatar i energjisë elektrike në Bullgari ka qenë 88,24 euro (172,58 leva) për megavat-orë. . Në segmentin e e një dite më parë të dorëzimit të energjisë elektrike të martën më 2 nëntor , çmimet e paraqitura kanë qenë në Serbi (210,88 euro po Megavat orë ). Hungari (204,84 euro ), Kroaci dhe Sloveni (204,28 eeuro ). Etj. Çmimet më të lira të martën kanë qenë në Poloni (109,53 euro për megavat orë). (koha.mk)