Kriza shkakton probleme për bizneset e vogla, Qelebiu: As mërgimtarët nuk po blejnë më

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:50

Kriza shkakton probleme për bizneset e vogla, Qelebiu: As mërgimtarët nuk po blejnë më

Kriza ka shkaktuar probleme sidomos te dyqanet e vogla që mezi mbijetojnë edhe pa krizë. Xhemail Qelebiu tanimë 48 vite punon si rrobaqepës. Por thotë se kurrë më keq nuk ka qenë për zanatçinjtë në Çarshi. Ankohet se situatën nuk po e përmirëson as ardhja e mërgimtarëve.

“Kemi pritur shumë më tepër prej mërgimtarëve por edhe ata kanë ardhur krejt me xhepat bosh, shumë dobët, ka ndikuar kriza. Para pandemisë kemi qenë mirë prej pas pandemisë dobët e më dobët, s’di çka të them, si do të vazhdojë më andej nuk e di, do të vijë dimri do të vijnë harxhimet më të mëdha, punë s’ka.”,- tha rrobaqepësi, Xhemail Qelebiu.

Jo vetëm kriza, zanatet në Çarshinë e Vjetër po harrohen e të rinjtë nuk duan punë që kërkojnë kaq shumë përkushtim e orë të gjata.

“Unë kur kam nisur të marr zanat, kanë qenë mbi 35 rrobaqepës në Çarshi dhe kanë qenë krejt të ditshëm. Sot i ke shumicën të padijshëm të zanatçinjve dhe krejt thonë ai s’di unë di dhe kështu duke e nënçmuar njëri-tjetrin populli nuk di me vlerësu dhe nuk ka shku te më e mira por veç te më e keqja. Këtu nuk shtohet puna veç vjen duke u dobësu. Rinia ikën krejt, unë fëmijët i kam jashtë vetëm, unë me shoqen jam këtu, djalin e kam në Austri, cikën në Angli, kështu që nuk vjen duke u rregullu puna po vjen duke ik popullata.”,- tha rrobaqepësi, Xhemail Qelebiu.

Qytetarët: Çfarë të blejmë më parë me rrogat, s’na del

Qytetarët ndërkohë ankohen se nuk kanë para as për të blerë gjërat elementare e jo më të vizitojnë dyqanet më të shtrenjta për gjëra që aktualisht i cilësojnë si dytësore. Ankohen se rroga nuk del.

“Unë se kuptoj këtë rritjen e çmimeve, kohëve të fundit çmimet veç kanë filluar të dyfishohen gjithandej, nuk di popullata si ia del në krye me këto çmime.”,- u shpreh një qytetar.

“Çmimet janë bërë shumë të larta. Popullata s’ka edhe kjo çka është fati ynë. Me rrogën e këtushme është shumë rëndë nuk rrihet asnjë send nuk mund të bësh asgjë edhe për të ekzistuar nuk ke me ekzistu e jo të ndërtosh diçka apo të bësh diçka, ashtu është jeta.”,- tha një qytetar.

Xhemaili i ka humbur shpresat se do bëhet më mirë. Thotë se e ka lënë kurbetin për t’u kthyer e punuar zanatin që ka në vendlindje, por nëse do kishte mundësi t’i rregullonte dokumentet, do kishte ikur përsëri.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:50