Krmov nuk e tërhoqi nënshkrimin, por “Alternativa” do të votojë për rrëzimin e qeverisë
Emri i deputetit Borisllav Krmov nuk figuron në listën e 17 deputetëve që tërhoqën nënshkrimet nga mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, i cili u rishikua sot pasdite dhe ia dorëzua kryeparlamentarit Talat Xhaferi, përcjell FLAKA.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se deputetët e së “Majtës” dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së do të tërheqin nënshkrimet e tyre, pas kërkesës së deputetit të “Alternativës”, Skender Rexhepi, si kusht që nënshkrimi i tij të mbetet në listë.
“Kur e përpiluam listën, e Majta nuk ishte pjesë e saj. Nuk pranoj që nënshkrimi im të jetë pjesë e listës së bashku me nënshkrimin e liderit të së Majtës”, tha Rexhepi pak ditë më parë.
Krmov deri më tani nuk është përgjigjur në pyetjet e Focus se pse nuk e ka tërhequr nënshkrimin. Përgjigje nuk morëm as nga kryetari i partisë Apasiev.
Mirëpo, sot nga “Alternativa” kanë thënë se do ta votojnë mosbesimin e Qeverisë, pasi siç ka thënë lideri Afrim Gashi, për ta ka pasur rëndësi simbolika.
“Për ne ishte e rëndësishme simbolika e asaj partie, e kjo është zoti Apasiev. Kjo është çështje teknike, deputeti tjetër nuk është në Shkup. Është thënë se do ta tërheqë nënshkrimin gjatë ditës, por tërheqja e zotit Apasiev ka qenë problem për z. Rexhepi dhe për shqiptarët në përgjithësi”, tha Gashi.
Fjala vjen, Apasiev ka shkruar në profilin e tij në Facebook “GAMBITI politik – Qeveria bie”, dhe Gambit është një lëvizje në shah me të cilën sakrifikohet pengu për të zhvilluar lojën më shpejt.
VMRO-DPMNE-ja opozitare para dy ditësh ka dorëzuar një iniciativë për votëbesimin e Qeverisë së Zoran Zaevit, e cila kishte nënshkrimet e 61 deputetëve, në mesin e të cilëve, përveç VMRO-DPMNE-së, janë edhe deputetë të Aleancës, Alternativës, Besa dhe e Majta.
Nisma vjen pasi kryeministri që nga e hëna nuk dha dorëheqjen e paralajmëruar pas zgjedhjeve lokale. FLAKA