Kroaci/ 12 qytetar polakë e kanë humbur jetën dhe mbi 30 janë të lënduar

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 19:35

Kroaci/ 12 qytetar polakë e kanë humbur jetën dhe mbi 30 janë të lënduar

Polonia është tronditur pas aksidentit tragjik të autobusit në Kroaci. Në aksidentin e rëndë pranë qytetit të Varazhdinit në Kroaci 12 pasagjerë që po shkonin për pelegrinazh në Medjugore humbën jetën dhe të paktën 34 u plagosën. Të gjithë pasagjerët ishin polakë. Në orën 5:40 të mëngjesit, autobusi përfundoi në një kanal në anë të rrugës për arsye të panjohura.

11 persona kanë humbur jetën në vend, ndërsa një person ka ndërruar jetë më pas për shkak të plagëve të rënda. Siç raportojnë mediat kroate, në terren arritën shpejt pjesëtarët e policisë, ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit, si dhe anëtarë të qeverisë kroate dhe të asaj polake.

“Sipas informacioneve që marrim nga personeli i spitalit, ka shumë pasagjerë me shumë trauma të rënda, ndaj edhe këtë duhet të kemi parasysh. Ne duam të shprehim ngushëllimet tona të thella për familjet e popullit miqësor polak. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka për t’u kujdesur për ata që janë në gjendje të rëndë në spitalet e Kroacisë. Jemi duke u koordinuar me konsullatën polake këtu në Kroaci”, tha Davor Bozinoviç, ministër i Brendshëm i Kroacisë.

Edhe Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të aksidentit dhe siguroi se autoritetet polake po bëjnë gjithçka për të ndihmuar të plagosurit dhe pasagjerët e mbijetuar.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Gusht, 2022 19:35