KRRE: Deri në fund të prillit, metodologji të re për çmimin e derivateve të naftës

Desk
By Desk 15 Prill, 2019 19:18

KRRE: Deri në fund të prillit, metodologji të re për çmimin e derivateve të naftës

Komisioni Rregullator i Energjetikës po përgatit metodologji të re për caktimin e çmimit të derivateve të naftës.

Siç bëri të ditur kryetari i këtij komisioni, Marko Bislimovski, më 30 prill Komisioni Rregullator do ta sjellë vendimin e fundit për çmimin e derivateve bazuar në metodologjinë aktuale, pasi më 8 maj përfundon obligimi që të aplikohet metodologjia aktuale bazuar në aneks marrëveshjen për shitjen e OKTA-s.

“Komisioni Rregullator ka formuar grup punues, i cili po punon në përgatitjen e metodologjisë së re. Në këtë grup janë përfshirë përfaqësues të kompanive më të mëdha me naftë dhe derivate të naftës, Ministria e Financave dhe institucionet tjera shtetërore që kanë lidhshmëri me naftën dhe derivatet e saj. Presim metodologjia e re të miratohet në fund të prillit apo në fillim të majit”,- tha Marko Bislimovski nga KRRE.

Sipas tij, është herët të thuhet nëse metodologjia e re do të ndikojë në uljen apo rritjen e çmimit të derivateve të naftës, por ai beson se nuk do të shkaktojë dridhje të mëdha sa i përket çmimit.

Njëherit nga Komisioni Rregullator i Energjetikës bëjnë të ditur se prej sonte në mesnatë do të rritet çmimi i lëndëve djegëse, edhe atë benzina do të kushtojë për 3 denarë më shtrenjtë, derisa nafta për 1.50 denarë.

Në bazë të kësaj, çmimi me pakicë i derivateve të naftës do të rriten për rreth 3.21%, apo EUROSUPER-95 dhe EUROSUPER-98 do të rriten për 3 denarë, gjegjësisht 2.5 denarë dhe një litër do të kushtojë 71.50 denarë gjegjësisht 73 denarë. Çmimet e EURODIZELIT do të rritet për 1.50 denarë dhe një litër naftë do të kushtojë 62.50 denarë.

Desk
By Desk 15 Prill, 2019 19:18