Kryeministri Zaev për vizitë në Çeki, zv,kryeministri Osmani në Suedi

Kryeministri Zaev për vizitë në Çeki, zv,kryeministri Osmani në Suedi

Kryeministri Zoran Zaev sot është për një vizitë pune njëditore në Pragë, Republika e Çekisë dhe do të marrë pjesë në Samitin e kryeministrave të vendeve nga Grupi i Vishegradit dhe kryeministrave të vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor, njofton Flaka 

Zaev, siç paralajmëroi pres shërbimi qeveritar do të takohet me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babish në drekë pune të organizuar së bashku me kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit dhe kryeministrave të shteteve partnere nga Ballkani Perëndimor.

Sakaq, zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nesër për vizitë pune do të qëndrojë në Mbretërinë e Suedisë, ku do të mbajë takime pune me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hans Dalgren, Ministrin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim, Piter Erikson, si dhe me Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlen.

Tema qendrore e takimeve, siç njoftoi Kabineti i Osmanit, do të jenë perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në prag të vendimit për fillimin e negociatave në tetor të këtij viti, si dhe do të diskutohet edhe bashkëpunimi zhvillimor bilateral si dhe bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve, përcjell Flaka

Në agjendën e Zëvendëskryeministrit Osmani për periudhën që pason janë paraparë edhe vizita në metropolet e vendeve anëtare të BE-së, duke filluar nga Brukseli, në fillim të javës së ardhshme, pas së cilës do vijojnë vizitat në Berlin, Varshavë etj.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, bashkëshortja e presidentit të shtetit, Elizabeta Gjorgjievska dhe kryetarja e Komitetit për imunizim pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Aleksandra Grozdanova, marrin pjesë në Samitin global për vaksinim që sot mbahet në Bruksel. Samitin e organizon Komisioni Evropian në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ndërsa është nën mbështetje të përbashkët të kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker dhe drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Teodos Adanom Gebrejesus.

Në Samit janë të pranishëm rreth 400 pjesëmarrës nga tërë bota, duke përfshirë liderë politikë, përfaqësues të lartë nga KB-ka dhe organizata tjera ndërkombëtare, ministri të shëndetësisë, akademi udhëheqëse, shkencëtarë dhe profesionistë shëndetësorë, sektori privat dhe organizata joqeveritare.

Qëllimi kryesor i samitit, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë, është që të jepet dukshmëri në nivel më të lartë dhe ndikim politik temës së vaksinimit, që paraqet masë më të suksesshme për shëndetin publik dhe mbron milionë jetë çdo vit. Njëkohësisht e demonstron qëndrimin dhe udhëheqësinë e BE-së ndaj përkushtimit global të vaksinimit, do ta përforcojë përkushtimin politik ndaj eliminimit të sëmundjeve që parandalohen me vaksinat dhe do t’i angazhojë liderët politikë dhe liderët nga shoqëria shkencore, mjekësore, industria, filantropike dhe qytetare në aksionin global kundër përhapjes së dezinformatave lidhur me vaksinat.

“Vaksinimi është masa më e suksesshme për shëndet publik në kohën moderne. Temat e panel diskutimit rreth të cilit dalin panelistët kanë të bëjnë me strategjinë globale të rritjes së besimit në vaksina, përforcim të hulumtimit për vaksinat, zhvillim dhe inovacione dhe krijim të përgjigjes globale për sigurimin e shëndetit publik, siguri dhe prosperitet përmes imunizimit”, theksojnë nga Ministria. Flaka

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Shtator 12, 2019 12:05

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...