KShZ: Anulohen zgjedhjet në 7 vendvotime

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:22

KShZ: Anulohen zgjedhjet në 7 vendvotime

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi katërmbëdhjetë ankimime të gjitha nga shtabi i kandidates presidenciale, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe anuloi zgjedhjet presidenciale në rreth të parë, në shtatë vendvotime. Anëtarët e KShZ-së konstatuan shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vendosën anulim të procesit zgjedhor në dy vendvotime në Kavadar dhe nga një vendvotim në Kumanovë, Ohër, Aerodrom, komunën Qendër dhe një vendvotim në Kërçovë. Votimet u anuluan për shkak se në kutitë e votimeve janë numëruar më shumë fletë nga sa ka pasur votues të regjistruar.

“Konstatoj se unanimisht u vendos që kundërshtimi të pranohet. Prishet votimi në vendvotim 0684/1 dhe miratohet konstatim për shkarkimin e Këshillit Zgjedhor, bazuar në atë që thanë kolegët”,- theksoi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

KShZ hodhi poshtë shtatë ankimime të tjera, ndërkaq vendosi të shkarkojë edhe disa këshilla zgjedhorë, të cilët kishin lëshime procedurale që nuk përbënin shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor. Anëtari, Boris Kondarko, kërkoi që përgjegjësia të jetë individuale dhe jo në nivel këshilli zgjedhor.

“Duhet të përcaktohen sanksione për persona të caktuar në Këshillin Zgjedhor që e kanë bërë atë. Për të parandaluar që të mos ndodh më tej dhe këshillat zgjedhorë të kenë kujdes në këtë pjesë të procedurës së votimit”,- tha anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko.

Në vendvotimet ku u anuluan zgjedhjet nuk do të ketë rivotim, sepse u konstatua se rezultati i këtyre vendvotimeve nuk ndikon në rezultatin përfundimtar. (Tvm2)

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:22