KShZ ia ndau certifikatën Arta Toçit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 9, 2019 20:39

KShZ ia ndau certifikatën Arta Toçit

KShZ-ja ia ndau certifikatën Arta Toçit si deputete e zgjedhur për pjesën e mbetur të mandatit. Toçi vjen në vend të Vesel Memedit nga RDK-ja, dorëheqjen e të cilit e konstatoi Kuvendi republikan në seancë plenare, të njëjtën ditë, dhe më pas e verifikoi edhe KShZ.

“Gjërat po shkojnë në vend, sepse Aleanca edhe ashtu i fitoi tre vende në parlament. Me ngjarjet që ndodhën, të gjithë jemi të vetëdijshëm se Vesel Memedi i fitoi votat e Aleancës për Shqiptarët dhe kaloi pastaj në një parti tjetër, pra në koalicionim me parti tjetër dhe ishte momenti i duhur që ai të tërhiqet. Tani, ardhja ime në parlament po e forcon opozitën shqiptare dhe shpresoj se do të forcohet edhe më tepër opozita shqiptare”,- deklaroi deputetja e zgjedhur e ASh-së, Arta Toçi.

Toçi ishte pjesë e listës së përbashkët të koalicionit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në dhjetor të vitit 2016, midis LR PDSh-së së atëhershme, tani ASH-ja e Ziadin Selës, Unitetit të Gëzim Ostrenit dhe RDK-së së Vesel Memedit. Gjatë periudhës kur ASh-ja ishte pjesë e qeverisë Zaev, Toçi ishte zëvendësministre për punë të jashtme, deri në fund të vitit 2017. Pas verifikimit të mandatit, në Kuvendin e RMV-së, ASH-ja do të ketë tre deputetë, përkatësisht shumica parlamentare do të ketë një votë më pak.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 9, 2019 20:39