Kujdestari e përbashkët pas divorcit. “Martesa edhe përfundon, të qenit prind jo!”

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 6, 2019 19:22

Kujdestari e përbashkët pas divorcit. “Martesa edhe përfundon, të qenit prind jo!”

Kujdestaria e përbashkët e prindërve të jetë rregull përveç në situata të caktuara, të mos i ndahet kujdestaria vetëm një prindi, sistem i ri për përcaktimin e alimentacionit, themelimin e shërbimit të përmbarimit familjar, këshillimore për çiftet gjatë divorcit, rregullimin e procedurave në qendrat e punës sociale, sanksionimin e raportimeve të rrejshme të dhunës dhe rregullimin e udhëtimit të fëmijëve nën 14 vjeç.

Këto janë pjesë e zgjidhjeve të propozuara nga iniciativa për kujdestari të përbashkët për rregullimin e prindërisë dhe kujdestarinë në interes të fëmijëve.

“Aktualisht në shekullin e 21 kemi një ligj të shekullit 20 me perceptime të shekullit 19. Është koha të ndryshohet dhe luftërat midis prindërve të përfundojnë. Ne nuk mund të lejojmë që zhgënjimet dhe frustracionet midis prindërve të tejkalojnë interesat e fëmijëve”,- tha Naum Ribarovski nga Iniciativa për prindëri të përbashkët.

“Propozimi i ri ku për herë të parë kemi një akt nënligjor që quhet rregullore për hartimin e planeve të prindërve, mundëson që prindërit me ndihmën e institucioneve të mësojnë të merren vesh midis veti, të komunikojnë, të dëgjojnë dhe të përgatisin plane të përbashkëta për fëmijët. Prandaj kategoria në bazë vullnetare kalon në kategori ligjore që quhet obligim, që ata me marrëveshje të hartojnë plane të përbashkëta zhvillimore për fëmijët e tyre”,- tha Sllavica Knezheviq nga Instituti “Alternativa”.

Në favor të ndryshimeve të tilla ligjore u shprehën edhe nga Ambasada për fëmijë “Megjashi’. Sipas tyre, divorci duhet të shënojë përfundimin e martesës por jo edhe të qenit prind.

“Prindëria e përbashkët dhe e përgjegjshme edhe pas divorcit duhet të përqendrohet në atë që është më e rëndësishmja dhe që është në interesin e fëmijëve. Fëmija nuk duhet të ndihet fajtor për zhvillimet pas divorcit, por duhet të jetojnë një jetë normale dhe me vëmendje nga të dy prindërit në mënyrë të barabartë. Ata nuk duhet lënë në situatë të zgjedhin”,- u shpreh Dragi Zmijanac nga Ambasada për fëmijë “Megjashi”.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se ndryshimet e tilla do të ndihmojnë krijimin e një sistemi që do të mbrojë fëmijët pas divorcit. Sipas tyre, duhet të përfundojë kjo dukuri që fëmija të përdoret si mjet për hakmarrje të ndërsjellë midis prindërve të divorcuar. (Tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 6, 2019 19:22