Kumanova e qetë në orët policore

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 15:03

Kumanova e qetë në orët policore

Kumanova asnjëherë nuk ka qenë më e heshtur se sot. Në ditën e parë pas ndalimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve, në këtë komunë me mbi 100 mijë banorë, rrugët plotësisht janë të zbrazëta. Në hyrje/dalje të qytetit vërehen postblloqet policore dhe pajisjet dezinfektuese, të cilat aktivizohen vetëm kur lëvizin veturat e ekipeve televizive. Ora policore e filluar të premten në 9 të darkës do të zgjatë deri të hënën në 5 të mëngjesit, si masë për parandalimin e përhapjes së virusit korona.

Të gjitha lokalet janë të mbyllura, përveç tri barnatoreve kujdestare për shërbime urgjente. Pos policisë, në krye të detyrës janë edhe mjekët. Klinika Infektive në Kumanovë mbahet nën masa të rrepta sigurie. Mjekja kujdestare tha që sot në repart infektolog nuk ka. Ajo shprehet se ka frikë që mos të pësojë si kolegët e tyre të prekur me Covid-19. Të gjitha informacionet tjera janë centralizuar.

 Klinika Infektive në Kumanovë 

“Nuk mund të ju lejojmë brenda në repart sepse ka pacientë pozitivë me koronavirus.

A kanë arritur infektologët që duhej të vinin nga Shkupi?

Për këto informata pyeteni drejtoreshën nëse doni intervistë sepse ne nuk mund të japin informacione, ose drejtohuni tek ministri.

SI po përballeni ju me këtë situatë, a keni frikë?

Po sigurisht, por asnjë informacion shtesë nuk mund t’ju themi.”

 Prej kurse u paraqit CoVid-19 në Kumanovë janë marrë mbi 500 mostra nga ky institucion, ndërsa edhe gjatë orës policore qendra është e hapur. Sot janë marrë 24 mostra, me termin të mjekut amë.

 Spitali i Kumanovës i ka kapacitetet për të përballuar këtë sfidë me një ri organizim të mirëfilltë. Është e vërtetë se 12 kanë dal pozitiv me CoVid-19, dy mjek, shtatë infermiere dhe dy teknologë të rëntgenit. Jo vetëm qytetarët por edhe personeli shëndetësor duhet të vetëdijesohet se masat mbrojtëse janë të domosdoshme. Ne kemi punë me një armik të fshehtë, i cili është shumë i rrezikshëm jo vetëm për jetët tonë por edhe të familjarëve për rreth- deklaroi Arif Latifi, Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë.

 Kjo situatë erdhi pasi që numri i të prekurve me virusin në Kumanovë është në rritje të shpejtë. Mbrëmë Qeveria vendosi orë policore gjatë fundjavës, dhe ndalim të lëvizjes gjatë ditëve tjera nga ora 16 deri në ora 5 të mëngjesit. Por, qytetarët dje me të marr lajmin për izolim shkaktuan panik nëpër shitoret ushqimore. Pak para orës 21, mbrëmë radhë të gjata kishte edhe në furrat e bukës.

 “Çfarë të them, gjendje alarmante. Kjo që po ndodh në Kumanovë nuk është çështje politike, por epidemi Duhet të ketë së paku më tepër distancë”

“Ka ardhur një kohë shumë pa afat, lajmërimi ka qenë shumë i shkurtë, diku 4 orë më herët. Brenda 3-4 orëve janë shitur 400 bukë. Besoj që deri në një muaj jemi të furnizuar me miell.”

“Vendimi është shumë i ngutshëm. Brenda 15 minutave e kanë lexuar qytetarët dhe me vrap nëpër rrugë. E kemi parë se çfarë katastrofe u shkaktua nëpër qytet. Ajo është baza e karantinës, që është dashur ta kenë parasysh, me një anë thonë se mos të mblidhe 3-4 veta, këndej u mblodhën nga 300 a 400 veta nëpër marketa.”

 Ndërkaq Kryetari i Komunës Maksim Dimitrievski kritikoi pushtetin qendror për këtë masë të shpjete, por u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për të ruajtur shëndetin publik. Ai sot kërkoi nga MPB që të lejohet hapja e marketeve ushqimore, për të mundësuar porosi me dërgesa nëpër shtëpitë e qytetarëve. Ndërkaq, theksoi se Shtabi komunal i Krizës posedon pika të hapura, për furnizim me ushqimet bazë, të cilat në rast nevoje do të shpërndahen nëpër shtëpia.

Përgatiti: Adnan Qaili

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 15:03