Kumanovë, një viktimë dhe dy të infektuar. Në Likovë hapet Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 19:34

Kumanovë, një viktimë dhe dy të infektuar. Në Likovë hapet Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim

Gjatë 24 orëve të fundit, në rajonin e Kumanovës është regjistruar edhe një viktimë nga virusi Covid-19.

Bëhet fjalë për një 73-vjeçar nga Kumanova. Ndërkohë që janë regjistruar vetëm edhe dy raste të tjera të prekur nga virusi Korona, që është dukshëm më pak në krahasim me ditët e kaluara.

Ndërkaq, në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e zgjerimit të virusit COVID-19, në prezencën e zyrtarëve qeveritarë është hapur Shtabi Komunal për Mbrojte dhe Shpëtim në Likovë, që do të menaxhojë me situatën në këtë komunë, ku deri tash janë regjistruar vetëm 3 raste të prekur nga virusi Korona.

“Erdhëm me porosinë që komuna e Likovës, por edhe komunat tjera, t’i formojnë shtabet vendore, që do të thotë shtab në çdo fshat me qëllim të organizohemi në kuadër të fshatrave, ishte kjo një praktikë e mirë që u bë në Strugë ku u bashkuan në një shtab vendor, si policët, mjekët e pastaj koordinohen për aktivitetet e tani i mbetet komunës për mekanizmat e mëtutjeshme.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

“Vetëm me një ndërgjegjshmëri, disiplinë të ndërsjellë, pasi për momentin të gjithë jemi faktorë që ndikojmë në shpërndarjen e kësaj sëmundje, prandaj do të theksoja që sa më shumë t’u përmbahemi rekomandimeve të MSh, të mbahet distancë sociale, të evitohen kontaktet, pasi vetëm kështu shpëtojmë jetët tona”, – tha zëvendësministri i shëndetësisë, Armend Arsllani.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, këto restrikcione që janë, janë në interes të shëndetit të qytetarëve, kërkojmë nga qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve përkatëse.”,,- theksoi drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Shaban Mehmeti.

“Në komunën tonë kemi situatë realisht të qetë, respektohen të gjitha rekomandimet e qeverisë së RMV-së, kemi 3 raste pozitive dhe 42 raste të vetizolimit. Si komunë bëjmë përpjekje maksimale që të rritet ndërgjegjja, përgjegjësia te banorët tanë që edhe më tutje të mbajmë nivelin e qëndrueshmërisë.”,- u shpreh kryetari i Likovës, Erkan Arifi.

Nga ana tjetër, Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim ka vazhduar me aktivitetet për dezinfektimin e rrugëve si në qytet po ashtu edhe në lagjet e qytetit, por edhe me aktivitete të tjera që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 19:34