Kumanovë, Shtabi i Krizës kërkon karantinë për Kumanovën

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 19:21

Kumanovë, Shtabi i Krizës kërkon karantinë për Kumanovën

Pas regjistrimit të rasteve të para të të infektuar me virusin Korona si dhe viktimën e parë në vend, Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë sot e vizituan përfaqësues të Institutit për Shëndet Publik nga Shkupi.

“Propozojmë që sot t’i merren strishot të gjitha kontakteve të para me raste pozitive, të njëjtat do të përcillen deri te laboratorët e virusologjisë dhe diagnostikës molekulare në institute dhe do të presim rezultatet. Me rëndësi është të merret çdo informacion, detaj, për rastet pozitive, çdo kontakt i tyre, që të mund të kemi kujdes dhe të parandalojmë këtë virus mos të marrë përmasa më të mëdha.”,- deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti.

“Ne shpresojmë se kjo vizitë do të na ndihmojë që më lehtë t’i zbatojmë masat e parashtruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. Besoj se me këto rekomandime që na i përcjellin e pastaj ne deri tek qytetarët, situatë që u rëndua sadopak, me lehtësi dhe bashkëpunim me popullatën do të tejkalohet duke respektuar të qëndruarit në shtëpi si dhe respektimin e orës policore, kështu që edhe ne si mjekë të kryejmë detyrat tona ashtu si është më së miri.”,- theksoi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik – Kumanovë, dr. Arif Latifi.

Ndërkohë, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, edhe në takimin e sotëm ka sjellë vendime dhe rekomandime të reja në funksion të parandalimit të zgjerimit të virusit Korona. Kërkohet nga Qeveria e RMV që të sjellë vendim apo rekomandim për aplikimin e karantinimit në territorin e Komunës, me vënien e punkteve kontrolluese në të gjitha hyrje-daljet në qytet nga ana e MPB-së, ku edhe do të bëhej kontrolli dhe dezinfektimi adekuat i të gjithë udhëtarëve e makinave që hyjnë në qytet.

Nga Qeveria kërkohet që të sigurohen sa më shumë teste për virusin COVID 19 si dhe të hapen më tepër punkte për testim.

Shtabi komunal sërish kërkon zgjerimin e orës policore prej orës 18 e deri në ora 6 në mëngjes.

Kur jemi tek ora policore, vlen të theksohet se natën e parë të kufizimit të lëvizjes së qytetarë, mbrëmë janë ndaluar dy qytetarë duke shëtitur, kurse tek ata janë gjetur edhe armë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 23, 2020 19:21