Kundërspin: Fakti që në Rusi ka protesta kundër luftës, nuk do të thotë se është shtet demokratik

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Mars, 2022 01:34

Kundërspin: Fakti që në Rusi ka protesta kundër luftës, nuk do të thotë se është shtet demokratik

Protestat kundër luftës në Moskë, Shën Petersburg dhe në qytete të tjera ruse, nuk janë dëshmi se shteti rus ka kapital demokratik, siç spinon Bishevac. Numri i madh i arrestimeve, censurimi i mediave të caktuara dhe i pjesës më të madhe të rrjeteve sociale dëshmon pikërisht të kundërtën. I pasaktë dhe manipulues është edhe pretendimi se Ukraina nuk ka pranuar asnjë refugjat nga vatrat e luftës në Siri, Afganistan dhe Irak. Të dhënat e UNHCR-së tregojnë se në vitin 2020 në Ukrainë kanë qëndruar 2.172 refugjatë dhe 2.430 azilkërkues. Një pjesë e këtyre refugjatëve, të cilët paraprakisht janë larguar nga vatrat e luftës në Lindjen e afërme, tani përsëri janë refugjatë, që përpiqen të largohen edhe nga një luftë tjetër në vendin në të cilin kanë gjetur strehim, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Simona Atanasova

Safet Bishevac, ish deputet dhe gazetar, gjatë paraqitjes së tij në  emisionin Studio 10 në Televizionin 24 lëshoi më së paku dy spine në lidhje me invazionin rus mbi Ukrainën që filloi para tre javësh.

Spin 1: Rusia nuk është edhe aq shoqëri diktatoriale dhe e mbyllur siç përpiqet ta shfaqë bota. Nëse në një Rusi të tillë, me pushtet të tillë të Putinit mijëra njerëz dalin në rrugë dhe protestojnë kundër luftës, domethënë se në atë shtet ekziston kapital demokratik i cili efektivizohet me protesta. Po, do të thoni se i arreston. Doemos që do t’i arrestojë, ajo është ana zyrtare e politikës ruse. (07:10 – 7:40  në video).

[Burimi: TV24 – Studio 10 – i ftuar Safet Bishevac; data 09.03.2022 ]

Kundërspin: Ish deputeti Safet Bishevac spinon se Rusia është shoqëri demokratike, vetëm për faktin se njerëz kanë dalë në protesta që ta shprehin pakënaqësinë e tyre mbi invazionin ushtarak që e zbaton shteti i tyre ndaj një shteti tjetër sovran dhe të pavarur. Për çfarë kapitali demokratik flet Bishevac në një situatë kur ka mijëra të arrestuar gjatë protestave kundër luftës në më shumë qytete të Rusisë?! Këtu nuk ka asgjë demokratike, por një qëllim të qartë që të mbyten protestat dhe të futet „frika në palcë”.

Protestat në Moskë, Shën Petersburg dhe në qytete të tjera ruse, nuk janë as agresive, e as demonstrantët nuk i kundërvihen policisë, që ajo t’i arrestojë e t’i shpërndajë tubimet. Thjesht njerëzit dalin në rrugë të protestojnë kundër aksioneve ushtarake të qeverisë së tyre dhe bëjnë apel që t’i jepet fund luftës.

Pasi presidenti rus Vlladimir Putin urdhëroi invazion tokësor, ajror dhe detar mbi Ukrainën më 24 shkurt, organizata ruse për të drejtat e njeriut ОVD – Info publikoi se deri më 13 mars ka pasur mbi 14.000 arrestime gjatë protestave. Prej tyre, më shumë se 170 personave u është shqiptuar baraburgim.

„Vidat po shtrëngohen plotësisht – në thelb jemi dëshmitarë të një censure ushtarake”, thotë Marija Kuznjecova, zëdhënëse e OVD-Info për „Reuters“.

Që ta zbusë pakënaqësinë te qytetarët e vet, pushteti në Rusi e intensifikoi aksionin kundër mediаve të pavarura dhe e ndërpreu qasjen në platformat e mediаve sociale si Twitter, Facebook dhe Instagram dhe e shpalli vepër penale shpërndarjen e „informacioneve të rrejshme” për luftën. Ligji që hyri në fuqi më 4 mars me të cilin kriminalizohet informimi i pavarur për luftën dhe protestat kundër luftës, parasheh dënim deri në 15 vite burg.

Është shumë e vështirë që njerëzit të dalin në rrugë dhe të protestojnë. Secili që përpiqet të dalë ose duket si demonstrant e tërheqin në mënyrë të dhunshme, thotë Bernard Smith nga  Al Xhazira“, gjatë informimit të tij nga Moska, duke shtuar edhe se në një rast një grua e kanë tërhequr zvarrë vetëm se ka mbajtur në dorë një copë letër të bardhë.

Një gazetar i agjenсisë së lajmeve „France Рress” i pranishëm në protestat në kryeqytet në Moskë, dëshmon për më së paku dhjetëra arrestime dhe thotë se policia ka arrestuar këdo që ka qenë pa legjitimacion gazetari.

Kështu, fakti që ndodhin protesta aspak nuk do të thotë se shteti është demokratik, siç dëshiron ta shfaqë Bishevac. Numri i madh i arrestimeve, censurimi i mediаve të caktuara dhe pjesës më të madhe të rrjeteve sociale e dëshmon pikërisht të kundërtën.

Spin 2: E njëjta ajo Ukrainë para disa vitesh nuk dëshironte të pranojë asnjë refugjat nga vatrat e luftës në Siri, Afganistan, Irak etj. (13:15 – 13:28) në  video)

Kundërspin: Ky është edhe një manipulim që Bishevac e bëri gjatë intervistës. Pretendimi se Ukraina nuk ka pranuar asnjë refugjat nga vatrat e luftës në Siri, Afganistan dhe Irak, nuk është i saktë.

Të dhënat e UNHCR-së dëshmojnë se në vitin 2020 në Ukrainë kanë qëndruar 2.172 refugjatë dhe 2430 azilkërkues. Ukraina deri para invazionit u ka ofruar status të refugjatit dhe mbrojtje komplementare atyre që janë larguar nga persekutimi dhe lufta në vendet e tyre (me prejardhje nga mbi 60 shtete). Disa prej tyre kanë arritur të mësojnë gjuhën ukrainase, të gjejnë punë, të fillojnë biznes dhe të integrohen, ndërsa të tjerë janë ballafaquar me sfida gjatë integrimit. Një pjesë e këtyre refugjatëve, të cilët paraprakisht janë larguar nga vatrat e luftës në Jemen, Afganistan dhe Siri, tani janë përsëri refugjatë që përpiqen të largohen edhe nga një luftë në vendin ku kanë gjetur strehim.

Destinacionet përfundimtare të refugjatëve nga Lindja e Afërt, ishin vendet anëtare të BE-së. Pikërisht për këtë numri i refugjatëve që kanë kërkuar azil në Ukrainë është i vogël, e jo sepse shteti ukrainas nuk ka dashur t’i pranojë. E njëjtë është situata edhe me Maqedoninë e Veriut, e cila ishte destinacion tranzit i mijëra refugjatëve, por numri i atyre që dëshironin të qëndrojnë në vendin tonë dhe të kërkojnë azil është shumë i vogël.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED
Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Mars, 2022 01:34

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare