Kur bulmetet shiten në treg të gjelbër!

Desk
By Desk May 7, 2020 19:43

Kur bulmetet shiten në treg të gjelbër!

Veterineri dibran, Maksud Kërluku, thotë se aktualisht, pjesa më e madhe e shitësve të bulmetit shfrytëzojnë tregun e gjelbër ku mungojnë kushtet dhe standardet e nevojshme.

Në qytetin e Dibrës aktualisht bulmetet mund të blihen në tregun e gjelbër, i cili edhe pse është një treg i ri, nuk posedon kushtet për shitjen e bulmetit. Në një situatë të këtillë, blerja e bulmetit siç janë djathi, kaçkavalli, gjalpi, ajka, gjizë, kos, qumësht e tjerë, shpeshherë shqetëson konsumatorët, meqë kushtet që shiten nuk plotësojnë standardet e nevojshme për një ushqim të pastër. Veterineri dibran, Maksud Kërluku, pohon se Dibrës i duhet një shitore për bulmete. Ajo mund të jetë e stacionuar në tregun e qytetit apo në lokacione të tjera, ku realizohet tregtia. Aktualisht, sipas tij, pjesa më e madhe e shitësve të bulmetit shfrytëzojnë tregun e gjelbër ku mungojnë kushtet dhe standardet e nevojshme. Po ashtu, siç thotë Kërluku, shitja e bulmetit bëhet shpeshherë edhe në hapësira të hapura ku temperaturat nuk korrespondojnë me rregullat, të cilët caktojnë temperaturat e shitjes së bulmetit.

Por, nga ana tjetër, nuk ka patur ndonjë sukses nga ana e kompetentëve për të rregulluar problemin e shitjes të bulmetit në hapësirë në tregun e qytetit. Edhe sot, nëse vizitoni tregun e gjelbër të Dibrës, bulmetet në fjalë vazhdojnë të shiten në vendet të hapura. Problemi në fjalë në Dibër shqetëson qytetarët. Shpeshherë blegtorë lokal shesin djathin në pjesën kryesore të qytetit, aty ku vazhdon të shitet edhe qumështi i lopës. Duhet theksuar edhe faktin se bulmetet që shiten në markete dhe shitoret tregtare plotësojnë standardet. Ata në mënyrë korrekte janë të vendosur në frigorifer dhe respektojnë si temperaturat, por njëkohësisht edhe higjienën.

Po i njëjti problem është prezent edhe tek shitja e vezëve. Pjesa dërmuese e tyre shiten para shitoreve tregtare, por edhe në tregun e qytetit në temperatura shumë më të larta se sa duhet. Pikërisht ky problem është prezent vite me rrallë edhe pse ka patur shpesh kontrolle të inspektorëve. Kur jemi tek shitja e vezëve, duhet theksuar edhe faktin se vetëm një pjesë e vogël e tregtarëve garantojnë prejardhjen e vezëve, kurse pjesa tjetër shet vezë të kategorive të ndryshme, por pa informatë për fermat. Në tregun e qytetit një shqetësim për konsumatorët janë edhe prodhimet që plasohen nga vendbanimet rurale të Dibrës, Zhupës, Rekës si dhe disa fshatrave kufitare të Shqipërisë. (koha.mk)

Desk
By Desk May 7, 2020 19:43