Kur profesioni shndërrohet në mision – Gezetaria në sprovat e pandemisë

Desk
By Desk May 5, 2020 20:19

Kur profesioni shndërrohet në mision – Gezetaria në sprovat e pandemisë

OJQ-ja zvicerane Press Emblem Campaign (PEC) raportoi se në dy muajt e fundit kanë vdekur 55 gazetarë nga e gjithë bota si pasojë e virusit korona.

Bota më në fund ngadalë-ngadalë, po fiton betejën me pandeminë globale. Gjithandej po raportohet për një numër të madh të të shëruarve nga virusi korona dhe lakorja e të infektuarve të rinj dhe vdekjeve është në rënie të madhe. Përballja me virusin korona rrezikoi të gjithë njerëzimin pa përjashtim. Por më të rrezikuarit ishin ata që u përballeshin me këtë virus në vijën e parë të frontit, siç ishin mjekët, infermierët, policët etj.

GAZETARËT NË BILANCIN I ZI TË PANDEMISË

Me një bilanc të zi nga kjo pandemi po del edhe profesioni i gazetarisë. OJQ-ja zvicerane Press Emblem Campaign (PEC), raportoi se në dy muajt e fundit kanë vdekur 55 gazetarë nga e gjithë bota si pasojë e virusit korona. Ata shprehën keqardhje që përfaqësuesit e mediave nuk kishin marrë mbrojtje të mjaftueshme që të ruhen nga ky armik i padukshëm. “Gazetarët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha në këtë krizë shëndetësore, sepse ata vazhdonin me raportimin duke shkuar në spitale, intervistuar mjekë, pedagogë, udhëheqës politikë, ekspertë, pacientë”, thuhet në raportin e PEC, transmeton gazeta KOHA.

Kjo pandemi la shumë media pa emra të shquar gazetarësh e profesionistësh. Ndër ta ishte edhe gazetari spanjoll, José María Candela, i cili ndërroj jetë në moshën 59 vjeçare. Lajmin e vdekjes së tij e bëri të ditur redaksia në të cilën punonte. Virusi korona ia shkurtoi jetën edhe shkrimtarit dhe gazetarit kilian, Luis Sepúlveda, i cili pas një festival letrar në Portugali, u infektua dhe më 16 prill ndërroi jetë gati një muaj e gjysmë më vonë. Nga kjo krizë shëndetësore nuk u kursyen as fotoreporterët dhe operatorët. Një nga ata ishte edhe, Anthony Causi, një ndër fotoreporterët më të njohur në ShBA, i cili ndërroi jetë në moshën 48 vjeçare pasi u përballuar me virusin korona për tre javë rresht.

SI PANDEMIA VIRALE U SHNDËRRUA NË FANTOMPANDEMI?!

Emin Azemi, publicist dhe pedagog universitar, është shprehur se kjo ishte një betejë e madhe profesionale me shumë sfida. Kanë vdekur edhe një numër i konsiderueshëm gazetarësh, por jo asi që vegjetojnë mbi laptop dhe vjedhin lajme, thotë ai, por reporter trima që prodhojnë lajme.

“Gazetaria edhe njëherë u sprovua si profesion i sfidave, prandaj edhe duhet ti rikthehet statusi i të qenit korrektues i moralit të deformuar të shoqërisë. Sfida tjetër e gazetarisë ishte se ajo nuk ra në kurthin e teorive konspirative, por ndoqi pistat e veta të hulumtimit. Fatkeqësisht pati edhe jo pak “fake news” që pandeminë virale e shndërroi ne fantompandemi, me shumë raste të shpifura e stërmadhuara”, ka shtuar Azemi. Ai është i mendimit se përgjithësisht, bilanci i punës së gazetarëve mund të matet me parametra të rrokshëm të besueshmërisë ndaj mediave tradicionale, dhe kjo, sipas tij, është simptomatikë inkurajuese se publiku megjithatë ende nuk ka hequr dorë nga televizionet dhe gazetat që udhëhiqen me standarde të larta profesionale.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, me rastin e Ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, ka dërguar falënderim deri te të gjithë mediat, gazetarët dhe punonjësit mediatik për punën e tyre në ballafaqimin me virusin korona. “Paralelisht me ballafaqimin me pandeminë, bota lufton edhe me dezinformatat dhe lajmet e rrejshme, të cilat në kushte të tilla mund të jenë më të rrezikshme edhe nga vetë pandemia. Nga ana tjetër, informatat e sakta dhe raportimi i bazuar në fakte janë ilaç për njerëzimin dhe mënyrë e vetme të fitohen betejat e mëdha. Në një rrethim të tillë kompleks, ju mediat dhe punonjësit mediatik jeni më shumë se një lidhje mes institucioneve dhe opinionit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale, duke shtuar se gazetarët dhe mediat janë partnerët të cilët krah për krahë me institucionet kanë rol në ballafaqimin me krizën. “U përgjigjët në mënyrë profesionale në sfidën dhe treguat se jeni në majën e detyrës dhe për atë sinqerisht ju falënderohem shumë”, ka nënvizuar Filipçe.

Duke pasur qëllim mos përhapjen e virusit korona dhe mbrojtjen e gazetarëve nga ndonjë infektim eventual nga VOCID-19, edhe stafi drejtues i gazetës KOHA, me kohë ka marrë masa që të zhvillojë procesin e punës në kushtet e reja që i imponoi kjo krizë shëndetësore. (koha.mk)

Desk
By Desk May 5, 2020 20:19