Kurti: Bisedimet me Serbinë, pa harta në tryezë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 20:39

Kurti: Bisedimet me Serbinë, pa harta në tryezë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se në bisedimet me Serbinë që duhet të ndërmjetësohen nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ketë harta në tryezë, e as proces që çon në ripërcaktim kufijsh.

Këto komente janë pjesë e një letërkëmbimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak , i cili u emërua zyrtarisht në këtë detyrë me 3 prill.

Në një letër që kryeministri Kurti i ka dërguar zotit Lajçak, thuhet se qeveria e Kosovës “është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona”.

Në ketër thuhet se të dyja vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre dypalëshe.

“Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore. Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes”, thuhet mes tjerash në letër në të cilën zoti Kurti zotohet të drejtojë ekipin negociator në të cilin do të përfshihej edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkaq në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, zoti Lajçak shprehet “i inkurajuar” me përkushtimin ë Kosovës “për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e bisedimeve, dhe që është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese”.

Ai thekson se emërimi i tij jep shenja “të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur përpara në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur dialogun e Lehtësuar nga BE-ja” thuhet mes tjerash në letrën e zotin Lajçak.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga muaji nëntor i vitit 2018, kur Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi të ulet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e tarifave të cilat ishin në fuqi deri më 1 prill kur u hoqën në mënyrë të kushtëzuar nga qeveria e zotit Kurti dhe u zëvendësuan me masa reciproke.

Vendimi i tij u mbështet nga Bashkimi Evropian por jo nga Shtetet e Bashkuara që kanë kërkuar heqjen e tarifave dhe shmangien e pengesave të tjera.

Letrat shënojnë komunikimin e parë më të dërguarin e BE-së, emërimi i të cilit nuk u prit me entuziazëm në Kosovë.

Edhe zoti Lajçak edhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell që do të merren me procesin e bisedimeve janë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.\VOA

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 20:39