Kurti flet për barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Desk
By Desk March 3, 2020 19:53

Kurti flet për barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që Kosova është shtet i pavarur dhe do të sillet si i tillë, andaj do të ndodhë edhe reciprociteti me Serbinë.

Kurti, në takimin e organizuar nga Oda e Afarizmit e Kosovës, tha se reciprociteti është vlerë barazie para se të jetë masë kundërvënie.

Aty, ai foli edhe për barrierat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe ato me Maqedoninë e Veriut, për të cilat tha se qeveria do t’i adresojë për t’i zgjidhur.

Shefi i ekzekutivit tha se duhet ndihmuar biznesin vendor, në mënyrë që të rritet zhvillimi dhe paga mesatare në sektorin privat.

“Reciprociteti do të ndodhë, jo pse ne kemi vendosur të sillemi ndryshe, por sepse ne kemi vendosur të sillemi si shtet i pavarur ashtu siç jemi shpallur, ashtu siç jemi. Marrëdhëniet tona tregtare, ekonomike e politike janë reciproke, sepse ne jemi vende të pavarura. Reciprociteti është vlerë barazie, para se të jetë masë kundërvënie. Njerëzit, prodhuesit dhe biznesmenët tanë janë po aq të vlefshëm sa ata të shteteve me të cilët tashmë po zhvillojmë ose po zhvillojmë marrëdhënie më vonë. Ne duhet të ndihmojmë biznesin vendës, t’ju ndihmojmë juve ndërmarrës, në mënyrë që të rritet punësimi, të rriten kompanitë, prodhimi, zhvillimi e të rritet paga mesatare në sektorin privat”, tha Kurti.

Kurti, i cili ka një muaj që ka marrë postin e kryeministrit, në punëtorinë e organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, tha se janë të pakuptimta disa barriera që kanë vendet.

Këtu ai përmendi procedurat e dyfishta të rregullimit të dokumentacionit, mos-njohjen e certifikatave të cilësisë n ë fushën e ushqimit dhe akciza më të larta për prodhuesit e verës, për të cilat tha se janë vetëm disa prej barrierave tregtare me Shqipërinë që do t’i adresojnë për t’i zgjedhur me dy qeveritë.

“Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dallimet tona në dialekt dhe janë të tilla që i dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit për të kaluar në tokën e shqiptare, transportuesit obligohen që për çdo kamion që sjellin mallra në Kosovë nga vendet e BE-së përgjatë tranzitit në Shqipëri të paguajnë taksën e skanimit prej 22 eurosh, e këtë taksë e paguajnë edhe në ato raste kur nuk funksionon skaneri, gjë që tregon se nuk janë në pyetje çështjet funksionale të sigurisë por të gjobitjes për llogari të dikujt”, u shpreh Kurti.

Gjithashtu, ai foli edhe për pengesat me Maqedoninë e Veriut, për të cilat tha se duhet hequr.

“Me Maqedoninë e Veriut, po ashtu, kemi pengesa që duhet hequr, procedurat e zgjatura të zhdoganimit, kërkesa për certifikata shtesë dhe teste shtesë e të panevojshme vendosen për të vështirësuar e dekurajuar punën e bizneseve tona dhe eksportet tona. Kosova ka një bilanc negativ tregtar me të gjitha vendet e CEFTA-s. Eksporti ynë mbulon importin me vetëm 11% e kur këtu shtohen edhe pengesat tregtare, atëherë kërkohet ndërhyrja e shtetit për të garantuar që bizneset tona nuk i nënshtrohen standardeve të dyfishta dhe garës jolojale”, tha ai.

Desk
By Desk March 3, 2020 19:53