Kurti: Grenell është drejtpërsëdrejti i përfshirë në krizën politike në Kosovë

Desk
By Desk April 20, 2020 20:11

Kurti: Grenell është drejtpërsëdrejti i përfshirë në krizën politike në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, është i përfshirë drejtpërdrejtë në krizën aktuale politike në Kosovë. Kurse në rast të formimit të qeverisë së re, për çka po insiston presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Kurti tha se popullit nuk mund t’i ndalen protestat, duke parashikuar edhe mundësi për destabilizim.

Në një konferencë online për mediat ndërkombëtare, Kurti tha se nisma e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, e votuar në kuvend më 25 mars, ishte e koordinuar me ambasadorin Grenell. Ai tha se qeveria e tij u rrëzua, vetëm pse Grenellit po i ngutet “që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”.

Kurti tha se Grenell nuk po mbanë as tani një qëndrim neutral kur është në pyetje formimi i qeverisë së re.
Kurti tha se Grenell, që nga dita e parë, përmes mesazheve në WhatsApp, kishte insistuar në heqjen e taksës, por ai i kishte transmetuar atij qartë se do ta vendoste reciprocitetin ndaj Serbisë si një premtim zgjedhor. Ndërkohë, ai tha Grenell kishte shtuar trysninë mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, e cila, siç tha Kurti, iu nënshtrua këtyre presioneve. Kurse vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, tha Kurti, ishte një marrëveshje e kahershme mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.“Kjo do të jetë një qeveri e re pa partinë fituese të zgjedhjeve dhe kundër fitueses së zgjedhjeve”, tha Kurti.

“Më duhet të them po ashtu se është për keqardhje që ambasadori Grenell është pozicionuar në anën e politikanëve të korruptuar, të cilët votuesit i zëvendësuan në zgjedhjet e fundit”, theksoi Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se ambasadori Grenell po përpiqet të shtyjë përpara marrëveshjen për shkëmbim të territoreve, duke potencuar se një marrëveshje e tillë nuk do të mund të quhej paqësore.

Desk
By Desk April 20, 2020 20:11