Kurti: Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën

Linda Limani
By Linda Limani March 27, 2020 09:27

Kurti: Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti reagoi pas rrëzimit të qeverisë nga mocioni i inicuar prej partnerit të vet qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurti me anë të një postimi në Facebook u shpreh se “kjo ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Ne do të vazhdojmë si qeveri në detyrë.

Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Le t`i rrimë pranë popullit se Kosova është shtëpia jonë”, thuhej në mesazhin e tij.

Kuvendi i Kosovës miratoi në 25 mars me shumicë votash mocionin e mosbesimit ndaj ekzekutivit së udhëhequr nga Albin Kurti. Shkak për paraqitjen e këtij mocioni u bënë mospajtimet mes partnerëve të koalicionit për shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Kurti e shkarkoi nënkryetarin e LDK-së nga pozita e ministrit, pasi ai mbështeti propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Top Channel

Linda Limani
By Linda Limani March 27, 2020 09:27