Kurti: Thaçi do që Kosova të ketë kryeministër të dobët

Desk
By Desk April 24, 2020 20:30

Kurti: Thaçi do që Kosova të ketë kryeministër të dobët

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se presidenti, Hashim Thaçi po synon që Kosova të ketë një kryeministër të dobët, i cili do t’i mundësonte atij më shumë kompetenca dhe pushtet.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti tha se presidenti po bën shkelje të rënda të kushtetutës, duke pretenduar që t’i jap mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë. Por, siç tha ai, ende nuk e ka në dorë letrën zyrtare të presidentit me të cilën i kërkon LDK-së që ta formojë qeverinë, pasi që në momentin që ta ketë këtë shkresë zyrtare, Kurti tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars. Që atëherë presidenti i Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re. Më 22 prill, presidenti Thaçi konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve nuk e ka shfrytëzuar rastin për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së.

“Meqenëse presidenti i Kosovës dëshiron të jetë më shumë se president, atij i nevojitet një kryeministër që është më pak se kryeministër. Dhe ai do kryeministër të dobët, i cili ia mbanë ison në intencën për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Me mua nuk e bënë dot këtë. Prandaj, u zmbraps. Shkoj në Uashington u kthye pa marrëveshje, erdhi këtu në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, iku pa vendim. Pra, presidenti është i zmbrapsur nga kjo qeveri… Nëse dëshiron më shumë kompetenca le të garon për kryeministër, por jo ta keqpërdorë ulësen e presidentit për shkak të etjes së tij për më shumë pushtet“, tha Albin Kurti, kryeministëri Kosovës.

Desk
By Desk April 24, 2020 20:30