Kush do t’i zëvendësojë ata që po ikin?

Desk
By Desk March 5, 2020 19:33

Kush do t’i zëvendësojë ata që po ikin?

Ikja e qytetarëve do të ndikojë shumë në zgjedhjet e 12 prillit, për shkak se përkundër faktit se figurojnë në listat zgjedhore, ata nuk mund të jenë prezent fizikisht në ditën e votimit.

Numri i ulët i daljes në zgjedhje, gjithmonë ka qenë problematik për vendin tonë, ndërkohë që apatia politike e shprehur me dalje të ulët të votuesve, është një fenomen negativ për demokracinë dhe kulturën politike të një vendi. Përfaqësuesit politik legjitimitetin e marrin nga populli dhe ata duhet të thirren në emër të popullit. Zhgënjimi me të cilin ballafaqohen qytetarët nga mosrealizimi i premtimeve nga ana e politikanëve, por edhe ikjet masovike e të rinjve jashtë vendit, kanë rezultuar në rënie drastike të vullnetit politik për votuar. Edhe në këto zgjedhje do të ketë dalje më të ulët se kurdoherë më parë, dhe kjo detyrimisht relativizon peshën e fitores së partisë e cila triumfin zgjedhor parapëlqen ta përkthejë si gjoja dëshirë gjithëpopullore.

Për dalje të ulët të votuesve më mirë flasin shifrat, kurse ilustrim më i mirë i kësaj gjendjeje ishin zgjedhjet e kaluara presidenciale, ku ishte në pikëpyetje nëse do të arrihej konsensusi prej 40% apo jo. Nëse marrim për bazë zgjedhjet e kaluara parlamentare, ato te viti 2016, do të shohim se dalja e votuesve në nivel republikan ka qenë 66%, mirëpo duhet pasur parasysh dallimin në njësitë zgjedhore ku dominojnë votuesit shqiptarë dhe maqedonas, siç është, bie fjala, Njësia zgjedhore numër 6, ku vota shqiptare është e stërpërqendruar, me dalje prej 51.32%, në krahasim me njësinë zgjedhore numër 3 me shumicë votuesish maqedonas, ku dalja ka qenë 72.74%.

Sa i përket problemit të kamotshëm që ka të bëjë me daljen e votuesve, juristi Naser Zyberi për gazetën KOHA u shpreh se dalja e votuesve është një plagë e vjetër e këtij vendi dhe është në rënie të vazhdueshme nga zgjedhjet në zgjedhje. Kjo, sipas tij, është si produkt i politikave të gabuara nga ana e politikanëve që e kanë ulur motivin e qytetarëve për pjesëmarrje në procese politike, ndonëse sa i përket legjitimitetit, kjo është e diskutueshme, sepse siç shprehet Zyberi, askush nuk mundet t’ua mohojë përfaqësuesve të drejtën e kandidimit dhe përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve. Ai u shpreh se qytetarët nuk kanë instrument tjetër ku ata mundë ta ushtrojnë vullnetin e tyre, dhe se zgjedhjet janë një mundësi e mirë që qytetarët të shprehin qëndrimet e tyre. Sigurisht se ikja e qytetarëve do të ndikojë shumë në zgjedhjet e 12 prillit, për shkak se përkundër faktit se figurojnë në listat zgjedhore,ata nuk mund të jenë prezent fizikisht në ditën e votimit. Përpara se të bëhet ndonjë ndryshim në sistemin zgjedhorë apo çfarëdo lloji tjetër, Zyberi është ithtar i politikave që do t’i ofrojnë qytetarëve mundësi të mbeten këtu, dhe të kenë rolin e tyre në formulimin e politikave. Por kjo nuk mund të ndodhë përderisa nuk hapen negociatat për anëtarësim me BE-në dhe avancimi i vendit në strukturat euro atlantike. (koha.mk)

Desk
By Desk March 5, 2020 19:33