Kush i pari bani?

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Qershor, 2022 16:03

Kush i pari bani?

Opinion nga Driton Zenku

Të gjithë ne kemi kaluar nëpër bankat shkollore, kemi qenë të angazhuar në kolektivitete të ndryshme në punë, ndonjë aktivitet të lirë apo organizime të tjera.

Flas për vete, por sigurisht të gjithë ne kemi pasur mosmarrëveshje me individ të caktuar, qoftë në shkollë, universitet, punë dhe gjithandej ku kemi qenë dy e më tepër persona.

Dhe, është normale që në raporte të përditshme të ketë edhe fërkime brenda një kolektiviteti. Ngjarja që ndodhi në Kuvend, lartë-poshtë është identike sa u përket raporteve kolegjiale. Edhe deputetët mes veti llogariten si kolegë pune.

Kam miqë deputetë që më flasin për raportet me deputetët e partive të tjera. Në foltore sillen ndryshe, e në biseda të përditshme në zyra apo hapësira të tjera të kuvendit sjellja e tyre ndryshon. Ka rivalitet në foltore, por ka edhe miqësi prapra kuintave të kuvendit.

Në momente tensioni, ndodh të krijohen raporte të acarura siç mundeshim t’i shohim në kuvend. Kjo ndodh edhe në shkolla, në fakultete, në punë dhe gjithandej ku kultivohen veprime dhe mendime ndryshe.

A arsyetohet veprimi i deputetit Ademi ? Me vija të trasha them që jo. Por, duke analizuar zhvillimet që ishin dëshmitarë të gjithë ne, Arbërit iu imponua reagimi. Prekja në sedër është nënçmim.

Pamjet që u shfaqen në opinion tregonin që Ademi po zhvillonte mbledhjen mjaftë i relaksuar. Nuk kishte ndonjë shenjë nervoze. Gjendja eskaloj kur deputetja e Gostivarit Dafina Stojanoska ndërhyri te mikrofoni që shfrytëzonte Ademi. Duke e ditur që ka të bëje me një grua, Ademi u përmbajt, sikurse edhe ndaj dy deputetëve shqiptar, Aziri e Snopçe. Reagoi vetëm kur ndërhyri deputeti Antonio Milloshoski.

Duhet kuptuar që flitet për një moment. Ndoshta, Ademi në ato çaste parafytyroj një Milloshoski që dikur si student brohoriste rrugëve të Shkupit parulla kundër shqiptarëve. Ndoshta, Ademi në ato çaste parafytyroj një Milloshoski duke provokuar situatën në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit – 2017 në kuvend.

Kujtoj që ky i fundit dhunuesit e deputetëve i quante njerëz të vetëorganizuar që spontanisht donin të parandalonin shkeljen e Kushtetutës.

Kujtoj që partia që i takon Ademi dhe ajo që i përket Milloshoski janë rivalë të acaruar, dhe ndoshta edhe ky moment ka ndikuar në shpërthimin e situatës mes tyre.

VMRO-DPMNE akuzon BDI që për dy mandate e mban në pushtet LSDM e cila edhe pse ka humbur zgjedhjet, është bërë pjesë e qeverisë. Janë pesë vite që VMRO-DPMNE qëndon në opozitë pasi BDI e theu partimin fitues me fituar në krijimin e shumicës parlamentare.

Ju kujtohet fuqia e Antonio Milloshoski kur ishte në pushtet? Ishe minisër i punëve të jashtme, deputet dhe bartës i shumë funksioneve. Ju kujtohet rasti që flitej se babai i tij po privatizonte të gjitha qendrat e kontrollit teknik në Maqedoni ? Janë momente reflektimi që ndikojnë vetëm kur mendon se kush ishe dhe kush do të mund të ishe nëse do të vazhdoje të ishe.

Nuk jam ndonjë psikolog me diplomë por e kuptoj që nevoja për pushtet është një tendencë për të patur ndikim, kontroll ose influencë mbi të tjerët dhe për të qenë një individ i plotfuqishëm.

Në këtë rast, palët e infiltruara në incident rrotullohen rreth kësaj pike. Disa janë në pushtet e të tjerët e pretendojnë. Disa kanë qenë në pushtet dhe e kanë humbur atë. Dëshira për pushtet, nuk zgjedh mjete për të arritur qëllimin.

Megjithatë, ky rast nuk duhet përsëritur në Kuvend. Jo që më dhimbsen grushtat që marrin deputetët mes tyre, por që opinioni po terorizohet me zhvillime të tilla të palakmueshme. Fundja, çfarë faji kanë fëmijë tanë që në culularet e tyre të shfaqen skena të tilla.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Qershor, 2022 16:03