Kush (nuk) e don shtetin, unë apo ti?

Kush (nuk) e don shtetin, unë apo ti?

Para do kohësh isha i ftuar në një takim ku ndërmjet tjerash u diskutua edhe për sfidat e shtetit kundrejt Euro integrimeve gjegjësisht marrjes ose mos marrjes së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian. U ndjeva pak si keq, pasi gati të gjithë parafolësit (ku mua më ra hisja të flas i fundit) më fajësuan mua (përfaqësuesit  e kombit tim dhe përfaqësuesit politik të etnisë time) si jo lojal ndaj shtetit, si pengesë kryesore për mos realizimin e reformave në shtet, për mos funksionalitet në institucionet shtetërore, për jo profesionalizëm si dhe si qytetar që bën pjesë te ata që nuk e duan këtë shtet dhe si rrjedhojë mund të ndodhë të mos merret data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian. Sa për dijeni, ky takim ndodhi disa javë para shpërthimit të aferës koruptive të të ashtuquajturit Boki 13!

Në takim, pasi i dëgjova të gjitha akuzat, u detyrova të reflektoj mbi të kaluarën, që nga koha e pavarësisë së shtetit, dhe sipas asaj që dëgjova mu duk vetja që UNË paskam qenë pengesa kryesore e zhvillimit normal të shtetit e njëkohësisht dhe fajtori kujdestar për të gjitha të këqijat që i ndodhkan shtetit!? Ndërsa TI këtë me mjeshtri dinake e ke artikuluar më së miri me qëllim të përmbushish interesin tënd vetiak, nën një skenar e një dramë tragji-komike mirë të përgatitur, ku TI je mbrojtësi i shtetit ndërsa UNË fajtori për ngecjen e shtetit! Por në jetën e përditshme po zhvillohet një realitet krejtësisht tjetër ku UNË në vazhdimësi kontribuoj për zhvillimin e shtetit si një shoqëri e drejtë dhe e bararbartë për të gjithë, ndërsa TI në vazhdimësi pengoje zhvillimin e të njejtit shtet, si një shoqëri e drejt dhe e bararbartë për të gjithë, ose me fjalë tjera përderisa UNË në vazhdimësi jam marrë me sigurimin e të drejtave kolektive të etnisë time dhe komuniteteve tjera jo-shumicë në vend (duke përfshirë të drejta jetike si shkollimi në gjuhë amtare, përfaqësimi i drejtë dhe proporcional në institucionet shtetërore, decentralizimi, ndarja e drejtë e buxhetit dhe investimeve shtetrore, integrimet Euro – Atlantike e të ngjajshme), TI në vazhdimësi (me përjashtime të vogla) punoje në mbajtjen e monopolit në shtet duke shkelur të drejtat kolektive të komuniteteve jo-shumicë,  vjedhjen e shtetit, stopoje proceset e integrimeve Euro – Atlantike e të ngjajshme.

Sa për të vërtetuar këtë që thash lart, unë parashtrova disa pyetje:

–          Kush privatizoi dhe shiti gati pa para ndërmarrjet shtetrore në vitet e para të pavarsisë së Maqedonisë, UNË apo TI?

–          Kush mundësoi krijimin e skemave piramidale në vitet e 90ta të llojit TAT dhe të ngjajshme, UNË apo TI?

–          Kush i inskenoi dhe ekzekutoi ngjarjet e BitPazarit, Ladorishtit dhe Gostivarit (në të njejtën ditë devalvoi edhe denari), UNË apo TI?

–          Kush përdori dhunë ndaj hapjes së Universitetit të Tetovës, UNË apo TI?

–          Kush e njohu Tajvanin (me një gënjeshtër të madhe 1 miliard dollar investime) me çka krijuam armiq edhe në këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara, UNË apo TI?

–          Kush dëmtoi buxhetin e ministrisë së Mbrojtjes në qeverinë e formuar në vitin 1998, UNË apo TI?

–          Kush e shiti rafinerinë shtetërore, UNË apo TI?

–          Kush e sulmoi ambasadën e SHBA-ve në Shkup, UNË apo TI?

–          Kush propozoi ndarjen e shtetit me propozimin e mirënjohur të institucionit më të lartë Akademik në shtet, UNË apo TI?

–          Kush e shiti telekomin, UNË apo TI?

–          Kush dëmtoi buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mjeksisë në qeverinë 2002 – 2006, UNË apo TI?

–          Kush e shiti distribuimin e energjisë elektrike, UNË apo TI?

–          Kush i mbylli mediat e pavarura në shtet, UNË apo TI?

–          Kush e deformoi pamjen origjinale të Shkupit me projektin SHKUPI 2014 (nëpërmjet të të njejtit projekt u keqpërdoren miliona euro para), UNË apo TI?

–          Kush keqpërdori sistemin e sigurisë së shtetit dhe përgjoi me mijëra qytetarë të shtetit, UNË apo TI?

–          Kush i keqpërdori fondet kreditore kineze për ndërtimin e autostradave ne shtet, UNË apo TI?

–          Kush tentoi të vendos pushtet diktatorial në shtet, UNË apo TI? dhe shumë të tjera që nuk më kujtohen…..

Pas gjithë kësaj që thash më lart, ju rikujtova parafolësve që UNË dhe përfaqësuesit politik të etnisë time, ishin ata që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 duke pasur parasysh atë që thash më lart i dhanë mundësi demokracisë duke pensionuar politikisht ish Kryeministrin Nikolla Gruevski bashkë me partinë e tij me çka u krijua një qeveri e re e cila premtonte ndryshimet e nevojshme që do të përshpejtonin proceset Euro-Atlantike dhe do të punonte në krijimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë. Në këtë kontekst njëkohësisht i pyeta:

–          Kush tentoi të organizoj grusht shtet në vitin 2017, UNË apo TI?

–          Kush e dhunoi institucionin më të lart ligjvënës në shtet me 27 prill 2017, UNË apo TI?

–          Kush i sulmoi fizikisht të zgjedhurit e popullit në hapësirat e institucionit më të lartë ligjvënës në shtet, UNË apo TI?

Si rrjedhojë pas ngjarjeve të 27 prillit, disa punë ecën në drejtim të duhur, për këtë duhet të gjithë të jemi të vetëdijshëm dhe mirënjohës, shteti ja arriti ti mbyllë gati të gjitha kontekstet me fqinjët; nënshkruajti Marrëveshje të Fqinjësisë së mirë me Bullgarinë; u nënshkruajt Marrëveshja e Prespës me çka edhe u zgjodh konteksti i emrit me Greqinë dhe u pranua ftesa për anëtarësim në NATO. U bënë edhe disa reforma mbrenda institucioneve shtetërore, por për fat të keq kur vijnë në pyetje dështimi eventual në mos marrjen e datës së bisedimeve, në opinion përsëri bëhen pregaditje nëpërmjet disa personave, mediave dhe institucioneve, që fajtori kujdestar si zakonisht të jem UNË, me arsyetime të tipit: “një pjesë e regjimit të pushtetit të kaluar ende është në pushtet dhe të njejtit janë pengesë kryesore për mos realizimin e reformave në shtet, për mos funksionalitet në institucionet shtetrore pasi udhëhiqen me jo profesionalizëm!”.

Nëse janë të vërteta këto akuza dhe ne dështojmë në marrjen e datës për fillimin e bisedimeve, UNË sot dëshiroj të pyes:

–          Kush e lejoi aferën korruptive Boki 13 me çka u keqpërdor edhe Prokuroria Speciale në shtet, institucion me pritshmëri të lartë dhe për të cilën u dha një kontribut i jashtëzakonshëm nga shumë faktor relevant, UNË apo TI?

–          Kush nuk është i gatshëm të sillet ligj i ri për Prokurorinë Speciale, UNË apo TI?

–          Kush nuk është i gatshëm të bëjë VETING në gjyqësi, UNË apo TI? Fundja a mund të reformohet gjyqësia me gjykatës dhe prokuror të njejtë si në kohën e regjimit të kaluar?

Për në fund, UNË në asnjë mënyrë nuk dua të amnestoj veten për lëshimet dhe dështimet e mija në këto tre dekada, që nga pavarësia, qofshin ato me vetëdije apo pa vetëdije, por unë e kam dëshmuar që E DUA këtë shtet ashtu siç është, ndërsa TI me gjithë ata që i thash më lart për fat të keq ke dëshmuar që NUK E DON këtë shtet dhe gjithnjë ke tentuar vetëm të shfrytëzosh dhe të keqpërdorësh shtetin dhe mos mbajsh përgjegjësi për atë, apo të ikish nga i njejti si azil kërkues në ndonjë shtet tjetër.

Krejtësisht për në fund, UNË para gjeneratave të ardhëshme do të mbaj përgjegjësi pse të lejova të keqpërdorësh shtetin, pse të mundësova të punosh kundër një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, pse nuk të kundërshtova mjaftueshëm që mos të dëmtosh të ardhmen Euro-Atlantike të shtetit ndërsa nga ana tjetër është momenti i fundit që edhe UNË të vetëdijsohem e të betohem që KURRË më nuk do të lejoj TY të keqpërdorësh dhe të dëmtosh të ardhmen Euro-Atlantike të shtetit ku të gjithë qytetarët do të jetojnë në një shoqëri të drejtë dhe me mundësi të barabarta!

Nga autori P.K.S

Autori është i njohur për redaksinë

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 9, 2019 21:17

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.