Kushtetuesja në Kosovë i jep të drejtë Thaçit: Kufizimi i lëvizjes mund të bëhet “vetëm me ligj”

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 31, 2020 19:45

Kushtetuesja në Kosovë i jep të drejtë Thaçit: Kufizimi i lëvizjes mund të bëhet “vetëm me ligj”

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e presidentit Hashim Thaci, përkitazi me ligjshmërinë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes.

Kjo Gjykatë vlerëson se Qeveria ka bërë shkelje të Kushtetutës me vendosjen e “orës policore”.

“TË KONSTATOJË që neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore; TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës;”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo është komunikata e plotë nga Gjykata Kushtetuese:

  1. Aktgjykim

Lënda: KO 54/20

Parashtrues: Presidenti i Republikës së Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i datës 23 mars 2020, për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me nenet: 21 [Parimet e përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], 35 [Liria e lëvizjes], 43 [Liria e tubimit], 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore] dhe 56 [Të drejtat dhe liritë themelore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 2 [Liria e lëvizjes] të Protokollit nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me nenin 13 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe me nenin 12 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të Vendimit të kontestuar, deri në vendosje përfundimtare nga ana e Gjykatës, duke arsyetuar se vendosja e së njëjtës, “është në interesin publik dhe eviton rreziqet dhe dëmet e pariparueshme”.

Kërkesa bazohej në nën-paragrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe në paragrafin 2 të nenit 116 [Efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 31, 2020 19:45