Dhuna e 27 prillit ndezi debatin në Kuvend. Deputetët e VMRO-DPMNE-së, nisur nga vendimi i gjykatës së Strazburgut për shkelje të të drejtave të njeriut dhe dhënien e dëmshpërblimit ndaj të akuzuarve, ftuan kryeministrin të kërkojë hetim ndaj gjykatësve për përgjegjësi. Pasuan përplasje të pikëpamjeve ndaj vendimit.
“Ju ftoj që t’i ktheheni dialogut dhe rishqyrtimit të gabimeve, pasi na presin punë që do të duhet bashkërisht t’i kryejmë, sikurse reformat dhe vendime që do të duhet bashkë t’i marrim. Çdo vendim i gjykatës në Strazburg do të duhet të respektohet, na pëlqeu apo jo. Megjithatë, vendimi gjyqësor ka të bëj me procedurën e arrestimit e jo për veprën, andaj mos manipuloni, pasi që nuk është korrekte ndaj njerëzve që i sollët të vuajnë dënime shumëvjeçare burgu.”, – deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
“Zëvendëskryeministri iu drejtua një deputeteje, e cila nuk ka mundësi që t’ia kthejë, por nuk tha që ndaj saj kanë adresuar shantazhime pas 27 prillit nëse ajo pranon të votojë për ndryshimet kushtetuese. A janë këto vlera evropiane, zotëri zëvendëskryeministër?”, – theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Edhe shumica parlamentare kritikoi debatin e nisur nga deputetët e VMRO-së.
“Atëherë qanin dhe kërkonin falje, ndërkaq tani thonë se shenjat nuk janë asgjë, do të duhej të kishte viktima, të vrarë. Si nuk keni turp, çfarë duhej të ndodhte? Të kishte viktima që ju të shpëtonit nga krimi në këtë shtet?”, – u shpreh deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Akuzat e opozitës ndaj qeverisë përfshinë edhe rritjen eventuale të çmimit të rrymës nga 1 korriku bazuar në rritjen e TVSh–së për 8 %. Aludimet e tilla u përgënjeshtruan nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit s’do të ketë rritje të çmimit, por vetëm menaxhim të mirë.