Albanologu Zeqirja Neziri është fituesi i çmimit të sivjetmë shtetëror “22 nëntori”, i cili ndahet për kontributin në promovimin e bashkëjetesës ndër-njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, kulturave dhe religjioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Neziri është mirënjohës për çmimin e ndarë për kontributin e tij 40 vjeçar në përgatitjen e kuadrove të gjuhës dhe letërsisë shqipe, vlerëson se gjuha duhet ruajtur dhe zbatuar në të gjitha organet.
“Ky është një shpërblim, çmim shumë i rëndësishëm në jetën time, kjo e dëshmon punën, veprën time të gjatë mbi 40 vjeçare në Universitetin e Shkupit, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Pas alfabetit erdhi problemi i gjuhës, sot akoma është aktuale, edhe pse para 50 vjetëve u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, mori vendime se duhet të kemi një gjuhë të përbashkët, në mjetet radiodifuzive, në organet e shtetit, ligjet për të gjitha njësoj, por ka akoma organe që nuk e zbatojnë.”,- tha fitues i çmimit “22 nëntori”, Zeqirja Neziri.
Shqiptarët kanë shënuar arritje të mëdha sa i përket gjuhës dhe arsimimit, por që nuk duhet neglizhuar ngritja e cilësisë së arsimit, vlerëson kryetari i Këshillit për ndarjen e çmimit “22 nëntori”, Abdurauf Pruthi.
“Pas gjithë atij diskriminimi që përjetuan shqiptarët e Maqedonisë që nga koha e paraluftës së parë dhe të dytë botërore e që vazhdoi deri vonë pas mëvetësimit të RMV-së e që kishte të bëjë me kërkesën për të mësuar në gjuhën e tyre amtare. Fatmirësisht sot ata janë të përfshirë plotësisht në të gjitha nivelet e arsimit duke filluar që nga ai fillor deri tek ai i lartë me dy universitete shtetërore, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin “Nënë Tereza”. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, ende duhet bërë shumë punë, sidomos në planin e ngritjes së cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet.”,- tha kryetari i Këshillit për ndarjen e çmimit “22 nëntori”, Abdurauf Pruthi.”
Ndarja e çmimit shtetëror “22 nëntori” është shenjë mirënjohjeje e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore që kanë kontribuar në promovimin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonia së Veriut.