Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën listave të hapura

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 30 Korrik, 2020 20:39

Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën listave të hapura

Me 106 vota pro dhe 10 kundër parlamenti miratoi marrëveshjen e arritur mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare, për të ndryshuar nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilat synohet të ndalohen koalicionet parazgjedhore mes partive si dhe të vendoset një prag për ndarjen e mandateve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të rivalëve të tij politikë, ndërkohë ai bëri dhe një thirrje për ndërkombëtarët duke thënë se i takon shtetit shqiptar se çfarë bën me sistemin zgjedhor.

Nuk është një vendim që duhet ta ndajmë as me ambasadoren amerikane dhe me askënd tjetër, duke i respektuar maksimalisht. U bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat ashtu siç janë. Nuk është përgjegjësia e ndërkombëtarëve që ne kërkojmë prej 30 vitesh zgjidhje nga ata, për të komunikuar me njëri tjetrin – deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Opozita e bashkuar reagoi pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese që rikthen listat e hapura dhe riorganizimin e koalicioneve partiake parazgjedhore.

Sot në Kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën Kushtetutën, historinë tonë të përbashkët, konsensusin të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vite nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet -u shpreh Lulzim Basha, Kryetar i PD-së.

Komisioni Europian shpreh keqardhjen që nuk ishte përcaktuar më shumë kohë në fazën përgatitore për kalimin e ndryshimeve kushtetuese me kompromis të të gjitha palëve.

Ana Pisonero, zëdhënësja e KE-së në një postim në tuitter ka shkruar: “Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk është caktuar më shumë kohë në fazën përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik”.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 30 Korrik, 2020 20:39