Kyçjet ilegale, asnjë dënim deri më tash

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 19:35

Kyçjet ilegale, asnjë dënim deri më tash

Kyçjet ilegale në rrjetet e ujësjellësit dhe të kanalizimit në Tetovës janë të rëndomta, kurse deri më tani asnjë padi penale nuk është iniciuar. Edhe pse zakonisht këto raste ndodhin gjatë ndërtimeve të objekteve të ndryshme apo lokaleve, por edhe pallateve, por deri më tash nuk ka informacione se është iniciuar ndonjë padi penale, sepse kyçjet ilegale zakonisht dëmtojnë edhe rrjetin e ujësjellësit edhe infrastrukturën rrugore.

Rastet e këtilla janë vërejtur gjatë javës së kaluar në Tetovë kur është denoncuar një qytetar nga ana e banorëve se gjatë orëve të natës, kryen kyçje në sistemin e ujësjellësit. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetovë –Tetovë thonë se kjo është dukuri e vjetër në këtë qytet, sepse kanë ekzistuar edhe në të kaluar persona të tillë që bëjnë kyçje.

“Në Çarshinë e Epërme, kyçja është bërë me dëmtimin e asfaltit, dhe apeli ynë ka qenë që qytetarët gjithmonë të paraqiten sepse kyçja ka qenë falas, kur u rregullua rruga në “Murat Baftjari”dhe gjithë kyçjet kanë qenë falas nga NPK-ja dhe Komuna, madje kemi bërë apel që të bëjnë këta kyçje. Por, gjithmonë ka raste ku ndodhin veprime të këtilla, mundohemi t’i luftojmë këto dukuri negative, përmes kontrolleve në teren. Si rast, jemi në dijeni, kanë shkuar ekipet tona, kanë bërë një raport se si ka ndodhur rasti”, tha drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka. Zakonisht kyçjet qytetarët i kryejnë gjatë orëve të natës, duke rrezikuar edhe veten e tyre vetëm e vetëm që të shmangin një sasi simbolike për kyçje në atë sistem për të cilin përkujdesen punëtorët e ndërmarrjes. Në ndërkohë, nga NPK-ja theksojnë se qytetarët nuk kanë nevojë të bëjnë kyçje në të zezë në rrjetet e ujësjellësit apo kanalizimit. “Ata nuk kanë nevojë të bëjnë kyçje në të zezë, sepse kyçjet mund të bëhen edhe legale, pra ne si ndërmarrje jemi në dispozicion të qytetarëve, sepse shuma është shumë e vogël dhe kyçja mund të bëhet për një vlerë simbolike, kurse kur vetë qytetarët e kryejnë, atëherë edhe mund të dëmtojnë gypin e ujësjellësin që ka ndodhur shpesh herë në të kaluarën”, sqaron Ceka. Nga kjo ndërmarrje thonë se është shumë normale që qytetarët të kërkojnë zgjidhje për kyçje në këto sisteme, por jo në mënyrë ilegale. Kyçjet, sipas drejtuesve, kryhen nga punëtorët profesional të ndërmarrjes.

“Është shumë normale se qytetarët gjatë ndërtimeve të shtëpive, pallateve apo lokaleve të ndryshme duhet që të kyçen. Por nuk duhet që të bëhet në mënyrë ilegale, dhe kyçjet që bëhen nga ana e Ndërmarrjes Publike komunale janë më profesionale, nuk dëmtojnë rrjetin dhe kjo është një element prezent një kohë të gjatë që qytetarët vazhdojnë të bëjnë kyçje ilegale, që është dukuri negative, është vepër penale dhe duhet të dënohet”, deklaroi Ceka. Dukuri të këtilla ka edhe në lagjet tjera, ku shumë qytetarët vet kryejnë kyçjet dhe dëmtojnë rrugët. Si për ironi, zakonisht kyçjet ilegale ndodhin pikërisht pas asfaltimeve të rrugëve që edhe tregojnë pamjet nëpër rrugët e Tetovës, ku nuk ekziston asnjë rrugë pa e dëmtuar nga prerjet ose nga kyçjet ilegale, ose nga defektet tjera në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 19:35