Lata: Ngjarje tragjike e cila nuk kishte ndodhur në shekullin e kaluar

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 27 Gusht, 2018 11:30

Lata: Ngjarje tragjike e cila nuk kishte ndodhur në shekullin e kaluar

Vrasja  e trefishtë e cila ndodhi në Dibër, në të cilën u vranë tre anëtarë të familjes Pocesta, burri, bashkëshortja e tij dhe vajza e mitur, e shqetësoi gjithë opinionin dibran, i cili është në shok dhe mosbesim.

Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata për MIA-n,  dukshëm i shqetësuar deklaroi se një ngjarje e tillë tragjike nuk kishte ndodhur në shekullin e fundit.

“Së pari shpreh keqardhje të thellë dhe të sinqertë për më të afërmit e të vrarëve. Me të vërtetë është për të ardhur keq, për çka nuk ka kurrfarë arsyetimi. Tragjedi e këtillë në qytetin tonë nuk ka ndodhur në shekullin e kaluar”, deklaroi shkurt Lata.

Ndryshe, sipas zëdhënësit të Sektorit të Punëve të Brendshme, Stefan Dimoski, vrasja kishte ndodhur në shtëpinë e të vrarëve.

“Ngjarja tragjike kishte ndodhur rreth orës tre pas mesnate më 26 gusht. Vrasësi i trefishtë, me pistoletë së pari, në dhomën e fjetjes kishte shtënë mbi bashkëshortët A.P. (54) gruan e  tij N.P. (54), ndërsa pastaj edhe vajzën  e tyre 14 vjeçare. Me vendim të prokurorit publik të Gostivarit, nën kompetencën e të cilit është vepra, trupat janë dërguar për autopsi”, deklaroi Dimoski.

Sipas tij hetimi duhet t’i konfirmojë motivet.

Sipas informacioneve të qytetarëve  të Dibrës, përsëri, vrasësi është i afërm i tyre, dhëndri i të vrarit A.P. ndërsa shkaku ishte banal, mosmarrëveshje rreth rrugës për kalim ndërmjet dy shtëpive.

Familja e viktimizuar, e cila ka edhe dy fëmijë të rritur, kishin jetuar në Itali, ndërsa në Dibër kishin ardhur për pushime verore. Fëmijët e rritur para disa ditëve kishin shkuar në Itali, ku punonin, ndërsa të vrarët kishin mbetur për shkak të një ahengu te disa të afërm, të cilët, jo zyrtarisht e kishin informuar policinë.

Pasi që nuk u ishin përgjigjur thirrjeve telefonike të të afërmve, mbrëmë, diku para orës 21, kishin hyrë në shtëpi pas çka e kanë lajmëruar policinë. 

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 27 Gusht, 2018 11:30