Legalizimet, 185 mijë kërkesa ende në pritje, Sugarevski: Nuk mund të ndërtojë kush ku të dojë

Desk
By Desk December 12, 2019 19:22

Legalizimet, 185 mijë kërkesa ende në pritje, Sugarevski: Nuk mund të ndërtojë kush ku të dojë

Ligji i paralajmëruar për legalizimin e ndërtimeve pa leje ende është në procedurë, por a do të arrijë ai t’i japë fund kaosit urbanistik? Janë 185 mijë kërkesa për legalizim, që ende kanë ngecur sirtarëve të administratës. Ministri i Transportit, Goran Sugarevski, thotë se do të lejohen legalizimet e ndërtimeve të egra, por vetëm të atyre që nuk prishin planin urbanistik. Sipas tij, jo më gjithkush mund të ndërtojë ku të dojë.

“Jo çdokush mund të legalizojë, unë e refuzoj atë tezë me indikacion, kjo nuk do të ndodhë. Pajtueshmëria me kushtet, me pëlqimin, me vendimet e këshillave që ata marrin, sepse roli i këshillave në këtë punë është serioze. Ne i japim mundësi aty ku plani urbanistik lejon ndërtimin, por jo kushdo që dëshiron mund ndërtojë.”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Sipas tij, fjalën e fundit e kanë komunat e inspektorët e tyre duhet të dalin në terren. E nëse për këtë nuk kanë kuadër të mjaftueshëm, duhet të punësojnë inspektorë të rinj, thotë Sugarevski.

“Në këtë periudhë janë ngritur procedura të shumta për ndërtime pa leje. Një pjesë e tyre mund të përfundojë edhe me rrënimin e objekteve, madje edhe me dënime me burg për ata që nuk respektojnë ligjin. Inspektorët komunalë duhet të kryejnë punën e tyre, nëse janë pak, komunat le të punësojnë sa inspektorë t’u duhen.”,- theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Nga Kadastra thonë se 230 mijë legalizime tashmë kanë përfunduar, por duhet punuar më shpejt në përshkrimin e infrastrukturës, që është detyrë e ndërmarrjeve komunale dhe kompanive të ndryshme e kjo duhet bërë sa më shpejt.

“Bëhet fjalë kryesisht për rrjetin elektrik, të telekomunikimit, ngrohjes, rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit. Kjo do të thotë se kompanitë publike në komuna duhet të shënojnë rrjetet e kanalizimit e ujësjellësit.”,- tha drejtori i Kadastrës, Boris Tundjev.

Me ndryshimet ligjore parashihet legalizimi edhe i objekteve të ndërtuara deri në tetor të këtij viti. Por, këta persona, përveç marrësve të ndihmave sociale, bashkësive fetare dhe institucionet, duhet të paguajë 150% të vlerës së komunaleve. Mundësi për të aplikuar sërish për legalizim do të kenë edhe ata që nuk dorëzuan dot dokumentacionin për objektet e ndërtuara pa leje para 2011. Por, ligji i ri nuk do të vlejë për objektet e egra të ndërtuara në Ohër. Aktualisht janë legalizuar 240 mijë objekte të ndërtuara pa leje. (Tvm2)

Desk
By Desk December 12, 2019 19:22