Legjenda e Kroit të ftohtë në fshatin Padalishtë, fatkeqësia që solli burimin e ujit

Legjenda e Kroit të ftohtë në fshatin Padalishtë, fatkeqësia që solli burimin e ujit

Sipas gojëdhënave që barten ndër breza tani e 3 shekuj, fillimisht kroi ka buruar në brendinë e fshatit Padalishtë. Atë botë, çobanët e fshatit e kanë shfrytëzuar kroin për të krijuar ligatina me uji me qëllim për të larë leshin e qethur dhe grumbulluar nga dhentë. Në një rast tragjik, në njërën nga ligatinat e hapura afër kroit ishte mbytur një fëmijë i fshatit”. Rasti kishte pikëlluar gjithë banorët e fshatit, por më e pikëlluar ka qenë e ëma që kishte humbur foshnjën. E mllefosur dhe trishtuar nga ky rast pikëllues për familjen, nëna e fëmijës së ndjerë brenda natës kishte zënë grykën e burimit të kroit me leshin e dhenve dhe mjete të tjera rrethanore. Dhe ai vend ashtu kishte ngelu, kurse burimi ishte shterur. Pas një kohë, burimi kishte hapur degë dhe sërish kishte shpërthyer në vendin ku ndodhet edhe sot e kësaj dite, rrugës mes fshatrave Sërmnovë dhe Padalishtë

Driton ZENKU

Rrugës prej fshatit Sërmnovë për në fshatit Padalishtë, në një hapësirë nën hije nga lisat e malit, të bukur dhe të rrafshët buron uji në kroin që në mesën e popullatës lokale është pagëzuar si “Kroi i Ftohtë”. Ajo që e bënë të veçantë këtë mrekulli natyrore, nuk është uji i çiltër dhe shumë i ftohtë, por legjenda se si ka ardhur deri te rrjedha e kroit. Në bazë të gojëdhënave që datojnë prej tre shekujsh dhe që janë bartur ndër breza me xhelozinë më të madhe që të mos humb asnjë nga kuptimi, legjenda e kroit të ftohtë paraqitet rrëqethëse dhe tragjike, shkruan Flaka 

Sipas gojëdhënave , fillimisht kroi ka buruar në brendinë e fshatit Padalishtë. Atë botë, çobanët e fshatit e kanë shfrytëzuar kroin për të krijuar ligatina me uji me qëllim për të larë leshin e qethur dhe grumbulluar nga dhentë. Besir Asani banor i asaj ane, shpjegon që: “në një rast tragjik, në njërën nga ligatinat e hapura afër kroit ishte mbytur një fëmijë i fshatit”.

“Rasti kishte pikëlluar gjithë banorët e fshatit, por më e pikëlluar ka qenë e ëma që kishte humbur foshnjën. E mllefosur dhe trishtuar nga ky rast pikëllues për familjen, nëna e fëmijës së ndjerë brenda natës kishte zënë grykën e burimit të kroit me leshin e dhenve dhe mjete të tjera rrethanore. Dhe ai vend ashtu kishte ngelu, kurse burimi ishte shterur. Pas një kohë, burimi ishte degëzuar ndër tokë dhe sërish kishte shpërthyer në vendin ku ndodhet e dhe sot e kësaj dite që ne e quajmë si kroi i ftohtë që ndodhet rrugës mes fshatrave Sërmnovë dhe Padalishtë”, rrëfen Asani.

Legjenda mbi kroin duket se ka ndikuar që banorët e zonës me xhelozinë më të madhe të kujdesen për mirëmbajtjen e kësaj pasurie natyrore. Pjesa ku ndodhet kroi është shndërruar në pushimore në hapësirë të hapur. Është ndërtuar vija nga buron uji i kroit dhe deri tek derdhja në lum. Po ashtu, është ndërtuar edhe një strehimore me themele dhe kulm të qëndrueshëm. Janë vendosur ulëse dhe tavolina prej druri që mund të shërbehen nga fshatarët e zonës dhe mysafirët e tjerë për pikniqe familjare dhe shoqërore.

Ditëve të vikendit gjatë stinës së Pranverës dhe Verës, ky vend shndërrohet në pikë referimi për të pushuar dhe kaluar çaste të flladshme nën gjelbërimin e mrekullueshëm të malit dhe zhurmës së ujit që kalon rreth rrugës dhe që në mesin e banorëve lokal quhet “Zalli”. Por, sidomos vizitorët që vijnë nga jashtë, të rrallë janë që kanë njohuri për legjendën që ekziston tash e tre shekuj për Kroin e ftohtë. Shumica e tyre ndalojnë aty për të pushuar duke pëlqyer pozitën gjeografike dhe praninë e burimit të ujit, pa e ditur se kroi i ftohtë bart me vete një tregim të trishtueshëm por më se të vërtetë. Por kjo nuk është legjenda e vetme e bartur ndër breza mes banorëve të fshatit Padalishtë. Edhe vendi i quajtur si “Varri i Nuses”, paraqet një rrëfim në vete. “Varri i nuses”, ndodhet në malin që ndan fshatin Padalishtë me fshatin Qafë. Banorët e zonës tregojnë toponimit e këtij lokaliteti që daton prej tre shekujsh, shkruan Flaka 

“Atë kohë, një vajzë e re kishte vendosur që të martohej me një djalë të ri pa vullnetin dhe dëshirën e familjarëve të sajë. Ashtu dhe kishte ndodhur. Ky veprim i saj kishte tensionuar raportet mes familjeve që nuk mund të quheshin vetëm të miqësuara. Familja e kishte braktisur për një kohë të gjatë. Pas disa vitesh, në derë i trokasin vëllezërit e saj. Para familjes së burrit i paraqiten tepër të përmalluar dhe se kishin ardhur që ta merrnin për të qëndruar disa ditë të qëndronte tek familja e saj. Ashtu dhe kishte ndodhur, familja e burrit me kënaqësi kishte pranuar që nusja të shkonte me vëllezërit e saj tek nëna dhe babai, duke menduar se me kaq mbaroi armiqësia mes dy familjeve.Nisen rrugës, ndërsa vëllezërit para se të shkonin tek ajo, kishin hapur një gropë në tokë. Kur afrohen afër gropës, e qëllojnë me armë dhe pasi e vrasin e varrosin tek gropa e hapur, duke e prerë në besë atë dhe familjen e burrit të saj. Me këtë akt, ato ishin hakmarrë ndaj saj, pasi me vendimin që të martohej pa lejen e prindërve, kishte koritur fisin e saj”, thotë Asani, duke shtuar se nga ai moment vendi ishte pagëzuar si varri i nuses.

Padalishti është fshat i thellë malor në territorin e Komunës së Gostivarit, dhe ka një pozitë shumë të volitshme gjeografike meqenëse është i rrethuar nga male tepër të larta që pasurojnë këtë fshat me ujë. Banorët e këtij fshati të paktë numër si pasojë e migrimit në qytet dhe shtetet perëndimore, zakonisht merren me blegtori. Vendbanimet e Malësisë së Thatë, pos që karakterizohen nga pasuritë e bukura natyrore, veçohen edhe me legjendat, traditën dhe doket e krijuara ndër shekuj. (flaka.com.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Janar 28, 2019 13:35

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...