Letërnjoftimet, Zaev i shmanget kërkesës së Lëvizjes Besa

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 12, 2019 19:51

Letërnjoftimet, Zaev i shmanget kërkesës së Lëvizjes Besa

Kryeministri Zoran Zaev i shmanget kërkesës së kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për ndryshime në Ligjin për dokumentet personale në përputhje më marrëveshjen për vendosjen e grafës etnike në letërnjoftime. Zaev nuk tregoi se për cilat arsye në propozim nuk është futur kërkesa e Lëvizjes Besa e cila kushtëzoi ndryshimet kushtetuese me vendosjen e grafës së përfaqësisë etnike. I pari i Qeverisë tha shkurt se ligjet mund të ndryshohen në kohë të caktuar dhe se për këtë nuk duhet ekzistuar dilema.

Për gjithçka që jemi marrë vesh tashmë është pjesë e ligjeve, Kushtetutës dhe ndryshimeve që jemi pajtuar. Sigurisht që ligjet ndryshojmë në kohë të caktuar, në afate të parapara dhe në atë mënyrë do të zbatohen. Nuk duhet pasur dilema”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Lëvizja Besa edhe njëherë i kujtoi kryeministrit Zaev marrëveshjen e arritur më 11 janar 2019. Në kumtesën e Qeverisë të datës 11 janar mes tjerash thuhej se përveç amendamentit që shtetësia për shqiptarët të jetë “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ndryshime të ketë edhe në Ligjin për dokumentet personale.

Në mënyrë plotësuese në Ligjin për letërnjoftime do të shënohet edhe përkatësia etnike e qytetarëve”-thuhet në Kumtesën e Qeverisë.

Në një reagim të ri të lëvizjes Besa thuhet se nëse kryeministri Zaev nuk e tërheq propozimin nga procedura parlamentare do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat demokratike për bllokimin e tij. Në propozimin që Qeveria ka dorëzuar në Kuvend, ndryshimet parashikojnë përshtatjen e Ligjit për dokumente me ndryshimet e fundit të Ligjit për kundërvajtje. (Alsat)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 12, 2019 19:51