“Letërnjoftimi” i ndërmarrjeve publike – borxhet dhe numri i të punësuarve!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 22:20

“Letërnjoftimi” i ndërmarrjeve publike – borxhet dhe numri i të punësuarve!

Në vend ka 149 ndërmarrje publike në nivel lokal dhe qendror nga sektorë të ndryshëm. Një pjesë e madhe e tyre janë zhytur në borxhe me miliona, kurse për shkak të krizës energjetike, ndërmarrjet publike komunale kanë paralajmëruar falimentimin – çelës në dyert e ndërmarrjes dhe largim nga puna i punonjësve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Në çfarë gjendje financiare janë ndërmarrjet publike dhe sa punonjës kanë ato?

Llogaritë financiare në “minus”, borxhe të prapambetura dhe të papaguara…

Nga numri i përgjithshëm prej 149 ndërmarrjeve publike në tërë vendin, 109 janë ndërmarrje publike komunale të themeluara në nivel lokal dhe qendror, si dhe nga Qyteti i Shkupit.

Vetëm Qeveria është themeluese e 14 ndërmarrjeve publike, kurse 10 prej tyre janë në “minus” në gjysmën e parë të këtij viti. “Humbjet” më të mëdha në periudhën janar-qershor i kanë paraqitur  NP “Pyjet Kombëtare” që janë në minus me 2,7 milionë euro, NP HM “Infrastruktura” me 2,1 milionë euro dhe NP “Strezhevë” Manastir me një rezultat financiar negativ prej 1,5 milionë euro.

Ndërmarrjet publike komunale janë në gjendje të vështirë financiare.  Nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve publike, më shumë se 130 janë themeluar nga komunat dhe Qyteti i Shkupit, ndërsa tetë ndërmarrje publike janë konkretisht në kompetencë të Qytetit të Shkupit.  Kryetarët e disa komunave kanë dhënë alarmin për situatën – me paralajmërim se po vihen në pikëpyetje shërbimet që qytetarët i marrin nga ndërmarrjet komunale. Kriza energjetike e përkeqësoi edhe më shumë situatën financiare, duke qenë se një pjesë e madhe e ndërmarrjeve komunale janë në listën e borxhlinjve – me detyrime të prapambetura dhe të papaguara për arsye të ndryshme.

Sipas borxheve në listën e re, në vendin e dytë është HM “Infrastruktura” me një borxh prej gati 26 milionë eurosh.

Në infografikun e mëposhtëm, mund t’i shihni detyrimet e prapambetura, por të papaguara të NP dhe NPK (qershor 2022).

Në listën e debitorëve janë ndërmarrjet komunale nga pothuajse të gjitha qytetet, NP “Pastërtia” – Kumanovë, NPT – Shkup, NP “Komunalec” Strumicë, NP “Komunalec” Gostivar, NP “Ujësjellësi” Strugë, NPK Dibër, NPK – Sveti Nikole etj.

Punonjësit në Ndërmarrjet Publike…

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë së Informatike, në të gjitha ndërmarrjet publike në vitin 2021 kanë punuar 18,146 të punësuar, ndërsa sipas të dhënave nga shoqata e ndërmarrjeve komunale ADKOM vetëm në ndërmarrjet komunale janë të punësuar 15,000 njerëz.

Sipas numrit të punonjësve kryeson Ndërmarrja Publike e Transportit NPT, e cila nën Qytetin të Shkupit. Për vitin financiar 2021 ka shënuar humbje prej 3,3 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ka pasur të punësuar 1,325 persona.

Një NP tjetër e themeluar nga Qyteti i Shkupit ka një numër të madh të punëtorëve – NP Higjiena komunale Shkup me 1321 punëtorë, vitin e kaluar kjo NP ka shënuar humbje neto prej 700.000 eurosh.

Në vendin e tretë me 1,224 punonjës është  NP “Ujësjellësi dhe Kanalizim” – Shkup, NP e cila figuron në listën e borxhlinjve me miliona detyrime të prapambetura dhe të papaguara, por edhe me një humbje të gjeneruar prej gati 1,1 milionë euro në vitin kalendarik 2021.

Me mbi 300 punonjës janë edhe Ndërmarrjet Publike Komunale: NPK Derven-Veles, NPK “Komunalec” Prilep, NPK Strumica, NPK “Komunalec” Kavadar, NP “Parqet dhe Gjelbërimi”.

Ndërmarrjet publike shpesh komentohen si “çerdhe” për punësimin e kuadrove partiake, ndërsa ato me numrin më të madh të të punësuarve në shumë raste tregojnë edhe likuiditetin më të dobët.  ADKOM për një periudhë të gjatë kohore ka kërkuar ndihmë dhe logjistikë nga Qeveria për të kapërcyer krizën energjetike, e cila rezulton me fatura dramatikisht të larta – të rritura për disa herë. Pa ndihmën e pushtetit qendror, drejtuesit njoftuan se NP-të do t’i ndërpresin shërbimet për qytetarët, ndërsa punonjësit do të largohen nga puna.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 22:20

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare